15:55 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Për herë të parë City kalon United, bëhet klubi më i vlefshëm në Premier League

Një herë e një kohë Manchester United dominonte Anglinë dhe konkurronte denjësisht edhe në Champions League, ndërsa Manchester City ishte një klub modest, që shpesh lundronte në fundin e tabelës në Premier League dhe derbi ishte aq pa vlerë, sa tifozët e Manchester United nuk e quanin fare të tillë.

Tani gjithçka ka ndryshuar, sepse dominimi i United ka marrë fund dhe Manchester City është bërë skuadra më e fortë e qytetit, ndërkohë që për herë parë vjen edhe një ndryshim i madh: City vlen më shumë se United, duke qenë klubi me më shumë vlerë në Premier League.

City vlerësohet 2.364 miliardë sterlina, plot 385 milionë më shumë se sezonin e shkuar, ndërsa United është zhytur, sepse vlen 2.087 miliardë, duke humbur 376 milionë sterlina në vlerë.

Në bazë të studimit të publikuar nga nga Universiteti i Liverpulit, 6 skuadrat me vlerë më të lartë në Angli, Manchester City, Manchester United, Spurs, Liverpool, Chelsea e Arsenal, përbëjnë 74% të vlerës së gjithë Premier League.

Në vlerësim, Universiteti i Liverpulit ka llogaritur të dhëna që marrin parasysh të ardhurat e klubit, fitimet, kostot, përfitimet mesatare në shitjet e lojtarëve në periudhë 3-vjeçare, vlera e aseteve dhe shitja e biletave për ndeshje.

Sipas studimit, Burnley është klubi i menaxhuar më mirë, Huddersfield ka pagat më të ulëta (64 milionë sterlina në total sezonin e fundit) dhe Manchester United ka pagat më të larta (296 milionë sterlina). Gjithsesi, me 590 milionë sterlina, United mbetet klubi me të ardhurat më të larta në Premier League.