“Për identitet dhe dinjitet” – Shqiptarët e Preshevës ngrihen në protesta kundër Serbisë: Aspak më pak se sa na takon
Më 23 shtator, nga ora 13:00, në Preshevë do të zhvillohet protesta me moton “Marsho për identitet dhe dinjitet”.
Kjo protestë është njoftuar sot nga kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila bëri të ditur se marshimi do të nisë nga stadiumi i qytetit dhe do të përfundojë në qendër të tij.
Sipas Sinanit, protesta organizohet në shenjë kundërshtimi ndaj diskriminimit, shtypjes dhe shkeljeve që shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë nga Serbia.
Ajo theksoi se protestuesit do të kërkojnë ndërprerjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohjen e diplomave, krijimin e mundësive për punësim, si dhe institucione të hapura për të gjithë.
“Le të marshojmë për barazi dhe drejtësi! Në gusht ishim në Bujanoc, në shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë!
Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë dhe për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar!”, ka shkruar Sinani në Facebook.