22:04 / E Shtunë, 24 Tetor 2020 / OSH

Për një javë 2 skandale, cak i hajnave institucionet e Kosovës

Dy institucione shtetërore ishin cak i hajnave gjatë këtij muaji. Një prej këtyre vjedhjeve u krye në Ministrinë e Financave, e tjetra në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Më 9 tetor, janë zhdukur mbi dy milionë euro të shtetit. Brenda tetë minutave, gjithë këto para janë transferuar në konton e një kompanie private. Për të mundësuar transferimin e këtyre parave tek kjo kompani, dyshohet se ndihmoi punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, ndaj të cilit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gruda për 8 minuta kishte krijuar usera fiktivë që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronë e Kadri dhe Valon Shalës, të cilët janë në arrati.

Rastin e kishte denoncuar Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se transferi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasëordet”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo kishte thënë se krimi në Thesar ishte i organizuar derisa kishte paralajmëruar se beteja kundër hajnave do të vazhdojë. Sipas saj transaksioni prej mbi 2 milionë eurove, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka, derisa ka shtuar se për këtë transaksion nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës.

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami kishte thënë se paratë e shtetit janë të sigurta pasi ndodhen në Bankën Qendrore të Kosovës.

Derisa kishte paralajmëruar mundësinë e kthimit të parave të vjedhura me ndihmën e organeve të drejtësisë dhe hetuesisë. Por, kjo nuk është vjedhja e vetme që ka ndodhur në institucionet e vendit.

Para dy ditësh, është raportuar për një tjetër vjedhje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Atje është vjedhur një arkë, brenda së cilës kishte para dhe dokumente të rëndësishme.

Për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar dje një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka mundësuar që të kryhet kjo vjedhje.

Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IPK-ja ka bërë me dije se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, thuhet në njoftim.