15:44 / E Enjte, 28 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Për pesë muaj, rreth 34 mijë raste të dyshimta të gripit në Kosovë

Instituti  Kombëtar  i  Shëndetësisë  Publike  gjatë  tërë  vitit  bën  mbikëqyrjen  permanente  të  Influencës sezonale (ILI), ARI dhe SARI me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse.

Mbikëqyrja realizohet përmes hulumtimit aktiv dhe pasiv në Institucione shëndetësore dhe terren.

Në 5 sezonat e fundit  prej vitit 2014 shohim se sezona 2018/2019 karakterizohet me numër më të vogël të rasteve, nga java 40-të deri në javën e 52-të dhe pastaj  vazhdon me një rritje të numrit të rasteve që nga java e 01-rë e janarit të vitit 2019.

Nga fillimi i sezonës 01 tetor 2018 ( java  e 40 –të) deri më 24 shkurt 2019 (java 08-të), në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 33.708 raste të dyshimta në grip (ILI), 5.104 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 53 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).

Intensiteti i Influencës sezonale sipas numrit të rasteve të raportuara në javën e 08-të paraqitet mbi aktivitetin mesatar dhe krahasuar me javën paraprake (07-të) ka një rritje prej 17.3 % por ende nuk e kalon pragun epidemik.

Në javën e 08-të  (18.02-24.02 2019) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar 3.770 raste ILI,  385 raste ARI dhe 10 raste SARI.

Në të gjitha komunat janë paraqitur rastet e Influencës, dhe sipas numrit të rasteve numër më të lartë kanë komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt ndërsa sipas incidencës numër më të lartë të rasteve kanë komuna e H. i Elezit, Istogut, Dardanës, Prishtinës, Shtimes dhe Junikut.

Në raport me distribuimin e rasteve sipas grup-moshës dhe incidencës, nga numri total i rasteve të raportuara me ILI,  shihet se të gjitha grup-moshat janë të atakuara mirëpo vërehet një tendencë e rritjes te grup-mosha 0-4 vjeç dhe 5-14 vjeç.

Sa i përket rasteve me ARI, grup- mosha më e atakuar është 0-4 vjeç (2.034 raste), pastaj grup-mosha 15- 64 (1.653), ndërsa grup-moshat tjera kanë numër të përafërt të rasteve.

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të Influencës -IKSHPK deri me 28 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 719 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 265 kanë rezultuar pozitive me INF.A (pozitiviteti 36.9 %). Influenca A :  Nga 265 rastet pozitive në Influencën A, sipas sub-tipit  76 prej tyre kanë rezultuar me INF.AH1 pdm09 (29 %) dhe 188 raste pozitive INF.A të pa subtipizuara (71 %) dhe 1 rast pozitiv në INF. AH3 (0.4%).