Për reformat në arsim, testin PISA dhe ndryshimet në arsim, flet ministri Bytyqi
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka paralajmëruar rezultat më të mirë të PISA-s se i kaluari, por thotë se rezultati nuk do të jetë ai që ne dëshirojmë. Në një intervistë për Indeksonline ministri i MASHT-it thotë se buxheti për vitin e ardhshëm është për 8 milionë euro më i lartë se i vitit që lamë pas, por sërish nuk mjafton për përmirësimin e gjendjes së arsimit. Bytyqi ka treguar se së shpejti mësimdhënësit do të dërgohen jashtë vendit nëpër trajnime dhe se tashmë disa universitete të njohura botërore kanë shprehur vullnetin e bashkëpunimit. Për këto dhe shumë tema të tjera, përgjigjet ministri Shyqiri Bytyqi.
Indeksonline: Cilat ishin sfidat në të cilat keni hasur që në fillim të mandatit të juaj si ministër i Arsimit?
Shyqiri Bytyqi: Faktikisht sfida e parë që në momentin kur e kemi marrë përgjegjësinë si ministër në kuadër të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka qenë identifikimi i problemeve brenda Ministrisë, të cilat janë probleme me të cilat ballafaqohet sot sistemi arsimor në të gjitha nivelet. Pra, që në momentin kur ne kemi marrë nën udhëheqje këtë ministri kemi qenë të vetëdijshëm se nuk e kemi gjendjen e mirë në arsim, pra cilësia nuk ka qenë në nivelin që duhet të jetë dhe kjo ka qenë ideja, që t’i identifikojmë se ku qëndrojnë problemet, në mënyrë që pas konstatimit të gjendjes të marrim masat konkrete për të filluar një rrugë të mbarë nga situata të cilën e kemi. Konsideroj se pas përfundimit të këtyre problemeve që ekzistojnë, ne jemi të obliguar që të ndërmarrim hapa konkret për të ndryshuar gjendjen. Tani jemi në fazën kur veçse kemi filluar të ndërmarrim masa që të ndryshojmë gjendjen por në veçanti jemi të fokusuar në gjendjen e arsimit para-universitar që konsiderojmë se pjesa më e ndjeshme dhe më e rëndësishme për të filluar, ndryshimin e sistemit arsimor.
Indeksonline: A janë problemet më të mëdha në sistemin para-universitar apo atë universitar?
Shyqiri Bytyqi: Në përgjithësi ka në të gjitha nivelet probleme, por për ne më të theksuara janë ato para-universitare duke menduar se është thelbi i nivelit të ndryshimit të arsimimit. Pra, fokusi më i madh është tek pjesa e para-universitare ku jemi përcaktuar që të mendojmë një nivel tjetër të arsimit, me atë që ka qenë deri më tani, për arsye që të ndryshohet cilësia. Fokus të veçantë do të kemi në çështjen e avancimit të shkollave profesionale. Shkollat profesionale në vend kanë nevojë të avancohen, që të rinjtë tanë të jenë të gatshëm për tregun e punës duke fituar aftësitë dhe shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës, kjo për arsye pasi sot kemi mungesë të shumë profesionistëve në fusha të ndryshme, profile të ndryshme.
Kjo ndikon edhe në atë se shumë investitorë hezitojnë të investojnë në Kosovë, për faktin se ka mungesë të të rinjve tanë që janë të përgatitur në fusha profesionale. Për këtë arsye ne tashmë e kemi si pikë kyçe në programin tonë qeverisës, në vitin 2018 do të jetë sfida jonë kyçe për zhvillimin e kësaj pjese. Nuk mund të themi se edhe pjesa e arsimit të lartë është pa probleme, një ndër kryesoret është rritja e cilësisë në universitete, qoftë ato publike apo ato private. Dallon Universiteti i Prishtinës, me cilësi më të mirë por që edhe të tjerët si ky universitet kanë nevojë për rritje të standardit. Ne bashkë me universitetet do të gjejmë mënyra dhe metoda që të ketë një formë ndryshe të studimeve dhe përgjegjësia e cilësia e diplomave në vendin tonë të jenë me nderë.
Indeksonline: Sa jeni ndarë të kënaqur nga ndarja e buxhetit 2018, për fushën e arsimit?
Shyqiri Bytyqi: Realisht ne kemi menduar se do të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës, arsimi, por këtë vit nuk është arrit kjo edhe pse synimi jonë është të bëjmë presion që arsimi të jetë prioritet kyç kryesor, nacional. Kjo nuk është arrit për faktin se ne kemi arritur me vonesë në Qeveri, në fazën kur pothuajse kanë kaluar dy fazat e buxhetit, pra ka qenë e vështirë të rikthehet edhe një herë negocimi i buxhetit për vitin 2018. Kjo na ka shkaktuar një dëm që nuk arritëm të kemi një buxhet çfarë do të ishte i nevojshëm apo që do t’i bënte këto prioritete nacionale që ne po kërkojmë për t’i realizuar. Por krejt në fund ne kemi arritur që të kemi një rritje të buxhetit, mbi 8 milionë euro është buxheti më i lartë se vitin e kaluar, por prapë se prapë nuk i plotëson të gjitha nevojat e ngritjes së cilësisë së arsimit dhe atë që kanë nevojë edhe shkollat në të gjitha nivelet. Një mbështetje që ia vlen të theksohet janë edhe donatorët, partnerët të cilët ndihmojnë në fushën e arsimit, pra është arritje që nga BE-ja dhe SHBA-ja ka shumë universitete që kanë shprehur dëshirën e bashkëpunimit, në shkëmbimin e studentëve dhe të mësimdhënësve. Pra me trajnime shtesë të ketë edhe shtim të cilësisë tek mësimdhënësit. Synimet tona janë që në këtë formë të bashkëpunimit të ndryshojmë cilësinë e arsimit të cilën e kemi.
Indeksonline: Çfarë keni ndërmarrë ju si ministri për përmirësimin e rezultateve të dala nga testi ‘PISA’?
Shyqiri Bytyqi: Ne fatkeqësisht kemi pasur një periudhë të shkurtë, që nga marrja e mandatit deri tek mbajtja e testit të ardhshëm të testit në 2018, është shumë afër pra diku në fund të prillit. Na ka gjetur në një situatë jo shumë të mirë, por duke u munduar që të shohim se cila është gjendja dhe çfarë është bërë deri më sot. Ka ekzistuar një komision i mëhershëm i ‘PISA-s’ që në fakt nuk e ka bërë punën siç duhet apo nuk ka funksionuar asnjëherë, s’ka punuar fare. Kam qenë i detyruar të formojë një komision të ri, nga fillimi dhe është vërejtur një angazhim i jashtëzakonshëm dhe presim që së paku deri në prill të jemi më hapa shumë të hovshëm të përgatitur, për dallim nga testi i kaluar. Në anën tjetër Banka Botërore ka bërë një vlerësim të problematikave që kanë ekzistuar tek testi i kaluar, Gizi gjerman poashtu ka bërë një hulumtim dhe këto kanë ndihmuar në rreshtimin më të lartë të vëmendjes, në ngritjen e një niveli më të lartë të rëndësisë. Testi i kaluar përveç të tjerave, është parë si formal, pra thjeshtë sa për ta kryer një test pa e ditur rëndësinë e tij.
E gjithë kjo punë e jona ka një plan dinamik, ku deri në fundin e prillit planifikojmë të mbajmë dy teste provuese në të gjitha shkollat e Kosovës. Pra Komisioni në bashkëpunim me Shqipërinë kanë siguruar disa tekste të viteve të kaluara që do të shfrytëzohen si teste provuese. Pra, është një punë dinamike që të shihet se cilat janë problemet, e shohin rëndësinë e testit, familjarizohen me të .
Në testin e parë do t’i nënshtrohen të gjitha shkollat, në testin e dytë do të identifikohen shkollat të cilat do t’i nënshtrohen testit. Si asnjëherë më parë këtë herë testi ‘PISA’ do të mbahet në formë digjitale, pra kjo mund të shkaktojë një problem shtesë por shpresojmë që në dy testet e para provuese nxënësit veçse do të familjarizohen.
Pres që testi të dalë më mirë se sa kemi qenë por nuk mund të jemi në nivelin ku dëshirojmë, për arsye të kohës së shkurtë të cilën e kemi.
Kam kërkuar që testi të shtyhet dhe që të mos mbahet këtë vit, pra të jetë në vitin e ardhshëm, por kjo gjë është refuzuar. Pra kam pasur përgjigje negative, duke kërkuar ose të tërhiqemi komplet nga testi deri në vitin 2021 pasi nuk ka shtyerje të përkohshme. Ne jemi të detyruar të marrim masa më urgjente, sepse nuk deshëm që të tërhiqemi. Por nuk përfundon e gjithë këtu obligimi dhe përgjegjësia karshi këtyre problemeve.
Indeksonline: Sa mendoni se duhet të ndryshohen tekstet shkollore në Kosovë?
Shyqiri Bytyqi: Tekstet shkollore janë pikërisht sfidë dhe jemi zotuar që në 2018, nxënësit vërtetë të kenë tekste të merituara. Janë disa problematika sa i përket teksteve, që janë shfaqur edhe më herët por edhe tani.
Përveç që ka edhe fjalë që s’duhet t’i përmbajnë tekstet tona, ka edhe gabime shkencore e për këtë kemi marrë shumë vërejtje. Por gjatë kësaj kohe ishim në mesin e vitit shkollor dhe nuk arrinim të bënim një zgjidhje afatgjate. Kështu që 2018 mbetet sfidë e jona që të kemi tekste të mirëfillta. Kemi një këshill për botimin e librave, e kemi rifreskuar apo jemi në fazën e rifreskimin e këtyre librave. Pra do të merret vendim për botimin e teksteve të reja. Për tekstet që nuk janë të shkencave natyrore pasi ato të shkencave natyrore duhet të merret vendim që të marrim libra për t’u përkthyer nga shtëpitë e njohura evropiane. Pasi librat e botuara nga shtëpitë e njohura në Evropë apo Botë, kanë gabime minimale, dhe janë libra të verfikuara me vlera të larta të arsimit. Duhet t’u ofrojmë librat më të mirë të gjithë të rinjëve tanë.
Indeksonline: Sa po arrihet të përmirësohet cilësia e arsimit në përgjithësi ?
Shyqiri Bytyqi: Mendoj se përmirësimi i cilësisë së arsimit duhet të fillojë nga secili prej ne në Kosovë. Pra të rrisim rëndësinë e përgjegjësisë secili si individ. Ne kemi shprehur haptazi bashkëpunimin me secilën drejtori nëpër komuna, sepse ata mbajnë një barrë , përgjegjësi të madhe pasi Ligji ua mundëson që kryesisht niveli lokal të menaxhojë me shkollat dhe ne do të jemi mbështetës të tyre. Mësimdhënësit duhet shtuar përgjegjësinë e tyre, ne do të bëjmë identifikimin e nevojave të trajnimeve shtesë për ta. Pra jo gjithmonë mësimdhënësit i kanë aftësitë e duhura që të mbajë një orë siç duhet dhe t’u ofrojë nxënësve nivelin e duhur të dijes. Për këtë do të ndërmarrim masa që të identifikojmë se çfarë lloje të trajnimeve kanë nevojë ata për t’i fituar këto njohuri.
Pas gjithë kësaj mësimdhënësi duhet vlerësuar me arritjet e tyre dhe që të gjithë ata që nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë e tyre ashtu si duhet do të ndërmarrim masa ndaj tyre. Të gjithë mësimdhënësit në momentin kur e merr ditarin dhe niset për në klasë duhet të jetë i përgjegjshëm. Keni parasysh se shumë mësimdhënës e ndjejnë veten të tillë vetëm kur janë në klasë dhe jo jashtë saj. Ky mentalitet duhet të largohet.
Minimumi 8 orë duhet të jetë mësimdhënës, pra duhet të punohet në këtë drejtim që të kemi përmirësime.
Indeksonline: Si e komentoni dhunën nëpër shkolla dhe çfarë saktësisht po bëhet lidhur me këtë çështje?
Shyqiri Bytyqi: Ato skena kur i sheh apo dëgjon për to, nuk ndihet mirë askush aq më shumë kur ke një lloj përgjegjësie. Ajo çfarë ne po kërkojmë së pari është nga niveli lokal, pasi ka obligim të menaxhojë shkollat në nivelin si duhet. Esenca është që niveli lokal duhet të ngrisë përgjegjësinë për të cilën ka edhe obligim ligjor. Ne s’do të rrimë të presim se çfarë po bëhet në këtë nivel. Po ndjekim politikat zhvillimore, do të tentojmë pavarësisht problemeve të buxhetit, do të kërkojmë pedagog dhe psikologë nëpër shkolla që edhe këta do të kenë një rol të rëndësishëm në eliminimin e këtyre ndodhive.
Mendoj se përpos këtyre duhet punuar shumë edhe me prindërit pasi janë shumë të rëndësishëm, dhe të gjithë të marrim përgjegjësinë që na takon që bashkë t’i minimizojmë ato.
Indeksonline: Edhe sa objekte shkollore i duhen vendit për mësim tërë-ditor dhe kur do të jetë e mundur një gjë e tillë?
Shyqiri Bytyqi: Brenda këtij viti do të shohim se sa objekte i mungojnë Kosovës, për të aplikuar mësimin tërë-ditor sepse ka mungesë të objekteve shkollor dhe se jo të gjitha shkollat i plotësojnë kushtet për mbajtjen e mësimit tërë-ditor.
Kemi arritur që të bëjmë vlerësimin e mungesave të objekteve shkollore, diku 142 shkolla janë që mungojnë në gjithë Kosovën, për të eliminuar edhe problemin e ndërrimeve.
Përveç shkollave ka edhe shumë anekse që kanë nevojë, diku mbi 182 anekse shtesë që shkollat kanë nevojë t’i kenë për t’u mundësuar mësimi tërë-ditor.
Është një plan afatgjatë dhe ideja jonë është që këtë plan ta bëjmë sa më të shkurtë, me mundësitë tona buxhetore që i kemi aktualisht.
Kur e shikon numrin e shkollave nëpër komuna nuk është një numër që mund të themi se është i papërballueshëm.
Secila komunë ka nën-10 shkolla që i duhen për ta plotësuar nevojën, përjashtuar komunën e Prishtinës, që ka nevojë për diku 24 shkolla.
Do të bëjmë përpjekje për të gjetur mënyra të financimit të tjera përpos buxhetit të Kosovës. Kemi filluar diskutimin me Bankën Botërore, për të na ndihmuar gjithashtu presim edhe nga donator të tjerë, miq tanë.
Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë ka premtuar që shumë shpejtë të kemi një takim direkt, ku do të bisedohet për këtë.
Ne kërkojmë që nga viti 2018, në shkollat ku ekzistojnë tashmë mundësitë, të fillojë aplikimi i mësimit tërë-ditor, sepse konsideroj se mësimi 8 ditor do të ndihmojë ngritjen e cilësisë së arsimit por edhe shumë probleme të shfaqura si çantat e rënda për nxënës apo që tetë orëshi është për mësimdhënësit, pra që katër orë të tjera të ndikojnë në programin e nesërm. Pra në shërbimin e punës që bëhet, dhe në shtimin e përgjegjësisë brenda institucioneve.
Indeksonline: Cilat janë prioritetet e juaja për vitin 2018 si dhe urimi për fundvit për të gjithë qytetarët e Kosovës?
Shyqiri Bytyqi: Prioritet i afërt është profilizimi i mësimdhënësve, që veçse ka filluar me takime intensive, me trajnime e mënyra të tjera që do ndihmojnë në këtë drejtim.
Më pas është testi PISA, arsimi profesional pra do të shpallim platformën e vitit 2018, platformë nacionale të arsimit profesional. Kjo platformë do të jetë në nivel nacional, kërkon investime më të mëdha dhe planifikohet që një numër i madh i mësimdhënësve duhet të shkojnë jashtë vendit për trajnime shtesë.
Kemi ofrim të bashkëpunimit nga dy universitete të njohura të SHBA-së dhe duke vazhduar me kontakte të tjera si Gjermania e ne si Ministri do të bëjmë një fond të veçantë për financim për shkollat profesionale.
Shkollat profesionale në Kosovë do të jenë prioritet për 2018. Bashkëpunimi ynë për këtë arritje do të nisë edhe me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies si dhe me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, me nënshkrimin e memorandumit për shkollat profesionale.
Pra do të jenë bashkë bizneset ku do të profilizohen bizneset që kemi nevojë më shumë që të mundësohet arsimimi në shkollat profesionale të këtyre nxënësve që duan të vazhdojnë shkollimin në këto shkolla. U uroj të gjithë qytetarëve një vit të mbarë, shëndet dhe të mira në familjet e tyre. Dëshiroj po ashtu që viti 2018 të mbahet mend si vit i sukseseve në të gjitha lëmit në Kosovë.