16:04 / E Hënë, 10 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Fati i Projektligjit për Arsim të Lartë në votat e Listës Serbe

Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi sot ka shqyrtuar Projektligjin për Arsimin e Lartë, të cilin e votuan në parim për lexim të parë.

Anëtarët e komisionit patën kritika për disa nene të këtij projektligji të cilin disa e konsideruan edhe si të mangët.

Ndërsa, definimi i qartë i statusit të universiteteve publike, telashet me kolegjet private, akreditimet për degë të ndryshme të fakulteteve ishin pikat në të cilat kërkoi shqyrtim të mëtejmë komisioni.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi para komisionit u shpreh se ky ligj mjaft modern në krahasim me Ligjin i cili është aktualisht në fuqi.

Sipas tij janë bërë disa ndryshime dhe kufizime në këtë projektligj të cilat kanë qëllim modernizimin dhe qeverisjen në institucionet e arsimit të lartë në mënyrë që të ngritet cilësia.

“Pikërisht kemi bërë kufizime në institucionet, të cilat kanë të drejtë ose mund të prodhojnë të rinj apo profesionist në lëmin e arsimit. Nga Ligji bëhet e qartë se kjo kompetencë i kalohet vetëm institucioneve publike, pra nuk do të kenë mundësi që edhe institucionet private ta kenë një gjë të tillë. Risi tjera që e po ashtu e fuqizon qeverisjen dhe konsideroj se është një gjë të cilën ne mund ta arsyetojmë kemi të bëjmë edhe me formën se si mund ta përfiton statusin një institucion i arsimit të lartë, çoftë flasim për institucionet arsimit të lartë publik apo kolegje private. Në ligj tani më janë qartë objektivat dhe obligimet që ka secili institucion për t’i përmbushur në momentin kur ai merr një licencë si institucion i arsimit të lartë“, tha Bytyqi.

Bytyqi tha se përmes ndryshimeve që janë bërë në këtë projektligj çdo universitet privat i cili do të merr statusin si institucion i arsimit të lartë statusi i tij do të jetë jo profitabil.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi shpreson se kësaj radhe Lista Serbe nuk do të jetë pengesë në miratimin e ligjit sikurse kishte ndodhur në të kaluarën.

Edhe Teuta Haxhiu nga AAK-ja u shpreh se ky projektligj duhet t’i marr të gjitha votat, përfshirë edhe votat e komunitetit serb të cilët herën e kaluar nuk e kishin votuar pro.

“Mendoj se është një prej ligjeve më të rëndësishme për institucionet e arsimit të lartë, mirëpo duke dashur që të rregullojmë shumë fusha që edhe pse ligji i arsimit të lartë ndoshta pa dëshirën tonë tha kryetari, por unë po mendoj pak më ndryshe, fatkeqësisht që paketa e ligjeve të arsimit nuk munden me ndryshua Kushtetutën, kërkon votat e komunitetit serb që për mua është shumë e padrejtë, por fatkeqësisht nuk mund të kalojmë ligjet pa e pasur edhe pjesën e votave të këtij komuniteti”, ka shtuar Haxhiu.

Anëtari i këtij komisioni nga PSD-ja, Driton Çaushi i ka shprehur disa shqetësime për funksionimin e disa universiteteve publike, për të cilat tha janë pjesë e premtimeve elektorale.

Ai kërkoi sqarime edhe për disa nene për Projektligjin për Arsimin e Lartë, ku u shpreh se studimet do të duhej të mundësoheshin të jenë pa pagesë.

“Gjendja është aspak në nivelin që mund të konsiderohej universitet i mirëfilltë, po e përsëris shpesh një mostër e mirë është ajo çka ndodh në Universitetin e Prizrenit, vetëm një kriter edhe pse ndoshta ka shumë probleme tjera më të rëndësishme, është mungesa e stafit për një numër tepër të madh të studentëve dhe kjo është një tipar i secilit prej universiteteve, pra në Prizren janë 17 mijë studentë me staf të rregullt prej 105 profesorë dhe asistentë, kjo është një nga problemet. Mendoj se secili institucion duhet t’iu nënshtrohet kritereve të njëjta. Nuk ka kuptim fakti që është votuar në Kuvendin e Kosovës po bëhet fjalë për gjashtë universitete, bëhet fjalë për 27 milionë euro buxhet”, tha Çaushi.

E Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar si të mangët këtë projektligj. Sipas saj disa nene e bëjnë konfuz këtë ligj.

“Mendoj se prapë ka shumë mangësi dhe ka nevojë për shumë ndërhyrje për shembull edhe tek kriteret e përzgjedhjes të stafit akademik, mënyra e përzgjedhjes, komisionet recensuese, listat e punimeve shkencore e të tjera janë të pasqaruara deri në fund sipas ligjit dhe kanë mjaftë shumë mangësi, shpresoj shumë që kjo të mos lënë që të rregullohen përmes statuteve të universiteteve…Nuk ka po ashtu qartë kritere të vendosura se si mund të gradohet një mësimdhënës, cili është lloji i punimeve që mund t’i ketë sepse është përmendur kredibiliteti i revistës”, ka shtuar ajo.

Bytyqi iu përgjigj kritikave të deputetëve duke u thënë se mirëpret çdo ide dhe korrigjim me qëllim që të bëhet një ligj i mirë.

Lidhur me pagesën e studimeve tha se pagesat për studentët janë pak dhe janë simbolike.

“Kam vërejtje në pika të caktuara pajtohem tek pika që e cekët lidhur me kualifikimet e universiteteve publike, por ajo çka kisha dashur të diskutojmë bashkë është se nëse them se po duhet të ndryshohet edhe unë jam pro se parimisht duhet të ndryshohet, duhet të qohet përpara edhe ideja e raportit që ne e kemi sjell këtu..34;33 Nëse ne mendojmë se mund ta qojmë që ka shumë nevojë edhe vetë raporti që ua kemi dërguar edhe Qeverisë është parë qartë se universitet kanë nevojë që të rishikohen dhe të shohim se cilat universitete e meritojnë ta kenë titullin universitet”, ka thënë ministri i MASHT-it.

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi e ka votuar në parim marrëveshjen ndërkombëtare, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave në mes ambasadës së Francës dhe MAShT-it, e cila po ashtu dërgua në lexim të parë.

Anëtarët e Komisionit duke e konsideruar të padrejtë veprimin e Serbisë, e cila e ka regjistruar lahutën si trashëgimi kulturore të saj u pajtuan gjatë mbledhjes së sotme që në emër të Komisionit t’i shkruajnë një letër UNESCO-s për këtë veprim të Serbisë.