19:11 / E Enjte, 01 Prill 2021 / Blerim

Për shkak të tiketave në trafik, kanosin policinë në Malishevë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 10:00, derisa një patrullë policore nga Stacioni Policor në Malishevë,  ishte në kryerje të detyrës në rregullimin e trafikut në rrugën .”Imer Krasniqi” është kanosur nga tre persona.

“Aty kishin hasur me disa vetura të parkuara në kundërshtim me shenjën e trafikut dhe zyrtarët policor kishin filluar të shqiptonin dënime mandatorë”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës Nysret Gjyrkaj.

Gjurkaj ka thënë se pasi që i janë shqiptuar tiketat nga ana e policisë, dy kundërvajtës, tani të dyshuar në shenjë revolte i janë drejtuar me fjalë kërcënuese zyrtarëve policor dhe njëri nga ta  ishte nisur ne drejtim të zyrtarit policor për ta sulmuar, por ishte ndalur kur polici i kishte tërhequr vërejtjen që të mos i afrohej.

“Ndër të tjera ai i ka thënë zyrtarit policor se do ta shohësh se kush jam unë sepse unë e di se ku rrinë ti dhe aty do të shihemi dhe ca fjalë kanosjeje tjera. Të njëjtat sjellje dhe fjalë kanosjeje kishte pasur edhe kundërvajtësi tjetër”.

“Në ato momente nga një kafiteri kishte dalë i dyshuari i tretë ku pasi kishte ndërhyre në rast iu kishte thënë të dyshuarve të tjerë se: “Hajdi mos bëni zhurmë këtu se këta po i njihni, e shihemi me ta kur ta kryejnë detyrën”, tha Gjyrkaj.

Ai ka thënë se të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin Policor.  Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim të tij, të tre të dyshuarit ndalohen në mbajtje për 48 orë.