17:01 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / Blerim

Për zgjedhjet në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut do të shpenzohen rreth 193 mijë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.  Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut., thuhet në një njoftim të KQZ-së.

Me këtë rast KQZ ka miratuar planin operacional për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Veriut, ndërsa anëtarët u dakorduan që në mbledhjen e radhës të vendoset lidhur me aspektet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës, të cilat ishin shtyrë vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve.

“Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe buxhetit shtesë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës. Sipas vendimit të KQZ-së buxheti i planifikuar është në shumën 193 mijë e 181 euro. Në kuadër të këtij buxheti janë paraparë dy raundet, ashtu siç kërkohet me ligj. Pjesa tjetër e shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Podujevës do të mbulohen nga mjetet e alokuara gjatë muajit shkurt të këtij viti për këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Gjithashtu, me qëllim të përmbushjes në kohë të të gjitha detyrimeve ligjore për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të këtyre dy komunave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për zgjatjen e orarit të punës për anëtarët dhe stafin.