75 Mall Live Search
16:51 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / Z S

Përballja me Hasanpapajn, vjen përgjigja e Veton Suroit

Vazhdojnë polemikat mes Bardhyl Hasanpapajt dhe Veton Suroit. Ky i fundit i është përgjigjur zyrtarit të LDK-së pasi ai ia kishte rreshtuar 8 pika lidhur me dekretin e ish-presidentes Osmani.

Publicisti Suroi ka replikuar me pesë pika të tjera me kandidatin që mbanë numërin 34 në listën e LDK-së.

“Sqarime rreth pikave polemike të z. Bardhyl Hasanpapaj lidhur me Dekretin e Presidentes Osmani

1. Nuk është pjesë e debatit nëse Gjykata Kushtetuese përdori termin “shkelje kushtetuese”, të cilin Gjykata nuk e bëri. Debati është tjetër: a e pranoi Gjykata interpretimin kushtetues mbi të cilin ishte mbështetur Presidentja? Përgjigjja që del nga dispozitivi dhe arsyetimi i aktgjykimit është jo. Dekreti i saj nuk u pranua si akt që mund të prodhonte pasoja në rendin kushtetues të Republikës.

2. Natyrisht që ekziston në shkencat juridike dallimi ndërmjet një akti antikushtetues dhe një akti pa efekt juridik. Por për një dekret shpërndarjeje Kuvendi, mungesa e çdo efekti juridik do të thotë se ai nuk mund të prodhojë asnjë nga pasojat kushtetuese për të cilat është nxjerrë. Në këtë kuptim, ai mbetet një akt jokushtetues.

3. Pretendimi se Gjykata konfirmoi premisën themelore të Presidentes nuk qëndron. Gjykata konstatoi se afati gjashtëdhjetëditor për zgjedhjen e Presidentit nuk ishte konsumuar. Pikërisht ky konstatim rrëzoi bazën juridike mbi të cilën ishte nxjerrë dekreti. Në këtë mënyrë, Gjykata hodhi poshtë edhe pretendimin se Presidentja gëzonte diskrecion kushtetues për të vlerësuar vetë momentin e shpërndarjes së Kuvendit. Aktgjykimi konfirmoi se shpërndarja e Kuvendit sipas nenit 82(1)(3) nuk varet nga vlerësimi subjektiv i Presidentes, por nga përmbushja e një kushti objektiv kushtetues. Duke konstatuar se ai kusht nuk ishte përmbushur, Gjykata rrëzoi edhe interpretimin presidencial mbi të cilin ishte mbështetur dekreti.

4. Gjykata zgjodhi terminologjinë “nuk prodhon efekt juridik”. Megjithatë, rëndësi nuk ka vetëm formulimi, por edhe pasoja juridike e vendimit. Aktgjykimi nuk e ratifikoi interpretimin kushtetues të Presidentes. Përkundrazi, ai konstatoi se kushti kushtetues për shpërndarjen e Kuvendit nuk ishte përmbushur, refuzoi që dekreti të prodhonte efekt juridik dhe e riktheu procesin kushtetues në Kuvend. Këto janë elemente të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se interpretimi presidencial nuk u pranua nga autoriteti i vetëm që ka të drejtën e interpretimit përfundimtar të Kushtetutës.

5. Shpërndarja e Kuvendit nga Presidentja përbënte një ndërhyrje të rëndë në rendin kushtetues, sepse prekte drejtpërdrejt ekzistencën dhe vazhdimësinë e institucionit qendror përfaqësues të Republikës. Në një demokraci parlamentare, shpërndarja e Kuvendit është një nga kompetencat më të jashtëzakonshme kushtetuese dhe mund të ushtrohet vetëm kur plotësohen në mënyrë strikte kushtet e përcaktuara nga Kushtetuta. Pikërisht për këtë arsye Gjykata Kushtetuese ndërhyri, e privoi dekretin nga çdo efekt juridik dhe e riktheu procesin kushtetues në Kuvend”, shkruan Suroi në reagim.