13:18 / E Mërkurë, 06 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Përditshmëria e Koresë së Veriut në Bibliotekën Kombëtare, artistët e quajnë ide të gërditshme

“Gardianët e Parajsës”, mbanë titullin ekspozita që ka zënë vend në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky event u hap të enjten, derisa është një instalacion me fotografi, që paraqet momente e dukuri të përditshmërisë në Korenë e Veriut.

Me parulla e fotografi të dikatorit, ish-udhëheqësit të përjetshëm të Koresë së Veriut, Kim Jong-il, kjo ekspozitë e regjisorit norvegjez, Morten Traavik sipas tij, ofron më shumë se sa stereotipet e ideologjitë e njohura botërisht.

Derisa, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, u shpreh për artistin Traavik se, duke e njohur mirë këtë sistem, por duke e ditur edhe kontekstin e një të kaluare të Kosovës, jo pak të ballafaquar me totalitarizmin e cenzurën, ai vendos të sjellë këtu në Prishtinë një ndër projektet e tij më të suksesshme.

Por, kjo ekspozitë nuk u prit mirë aspak nga njohësit e artit, madje ata e quajtën si instalacion të “gërditshëm”.

Po, e pashë këtë “instalacion” që e paska bërë një “regjisor” norvegjez. Shume ide e keqe, e gërditshme. Moti nuk kam parë diçka më të pa shije se kjo. Me përjashtim të “instalacionit” të Akademisë Suedeze, me titullin: Peter Handke, fitues i Nobelit për letërsi”, shprehet regjisori Ben Apolloni për Indeksonline.

Ide të ngatërruar e po ashtu të “gërditshme”, ekspozitën që po mbahet e hapur në tempullin e dijes në Prishtinë e quan edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi.

Pak më duket si ide e ngatërruar, ekspozimi i këtij instalacioni në Bibliotekën Kombëtare. Në ndonjë hapësirë tjetër do rrinte më mirë. Shtrohet pyetja këtë lloj arti tashmë bota e ka tejkaluar se nëse analizohen portretet janë me proporcione të bëshme, patetike, muskuloze, gra me uniforma ushtarake, parada me uniformitet të pabesueshëm lëvizjesh të njësuara, fëmijë me shalle të kuqe e ngjyra jete nga shteti më i izoluar në botë. Ngjajnë me ato piktura dhe skulptura në Shqipërinë kur sundonte realizmi socialist.

Është art i gërditshëm me të cilin bota dhe Ballkani është ngop. Kjo kohë te ne nuk ekziston më. Artisti si duket ngatërron kohën tonë, mendon se ende jetojmë në këtë kohë me këso arte. Aty shohë një jetë të largët të Koresë, por pse këtu mu në Bibliotekë? Pse pikërisht kjo figurë te ne? Provokim i shterur dhe i vakët është ky sepse Kosova fare nuk e jetësoi këtë lloj arti as më herët e as tash e as që ka nevojë.

Çfarë tenton të thotë ky artist me këtë? Se te ne pranohet kjo apo kemi qenë komunist dhe po i ringjallim kohërat dhe ëndrrat tona? Jo gabim i madh ky“.

Muharremi shton tutje për Indeksonline se është dashur një kurator më i mirë ta bëjë përzgjedhjen e hapësirës në raport me punimet dhe se nuk ka duhet Kim Jong, pasi që e kemi Jongun tonë, Enver Hoxhën.

Reagime e kritika të shumta për këtë ekspozitë, ka pasur edhe në rrjete sociale, veçmas për imazhet e dikatorit korean, të cilat janë të vendosura pranë rilindasve tanë, De Radës e Naim Frashërit.

Kujtojmë që ekspozita do të qëndrojë e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 11 nëntor 2019./Indeksonline/