08:44 / E Premte, 08 Mars 2019 / indeksADMonline

Perez dhe Ramos përplasen në dhomat e zhveshjes

Përshkallëzohet situata te Reali i Madridit. Sikur të mos mjaftonte eliminimi i turpshëm i kampionëve në fuqi nga Ajaksi i Amsterdamit në Champions League, për më tepër brenda në “Santiago Bernabeu”, së fundi doli në dritë edhe një grindje ndërmjet presidentit të klubit Florentino Perez si dhe kapitenit të ekipit Sergio Ramos.

Pas disfatës 4-1 me klubin holandez, presidenti dhe kapiteni shkëmbyen fjalë dhe patën një diskutim të ashpër, në “Tempullin e Madridizmit”, pikërisht në dhomat e zhveshjes. Nuk janë thjesht zëra apo fjalë boshe të thëna lart e poshtë, por flitet për diçka të konfirmuar nga burime tepër të besueshme, si AS fillimisht dhe më pas Marca, sepse gjithçka ka ndodhur në sy të vetë lojtarëve, stafit teknik dhe atij mjekësor, që ishin gjithashtu të pranishëm.

Pas 3 trofeve radhazi në kompeticionin më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër, mbretërimit të Realit në Evropë i erdhi fundi, sidoqoftë eliminimi i skuadrës nga Ajaksi në ato rrethana, për më tepër pasi kishte triumfuar 2-1 brenda në Amsterdam, nuk është kapërdirë aspak nga numri 1 i klubit. Pas përfundimit të takimit Florentino Perez dhe Sergio Ramos u takuan në dhomat e zhveshjes. Më herët të dy e ndoqën ndeshjen Real-Ajax nga llozhat personale: numri 1 nga pozicioni i tij i përhershëm presidencial, ndërsa kapiteni që nuk luajti pasi ishte i skualifikuar, nga vendi personal i rezervuar enkas për të, në shoqërinë e familjarëve dhe kameramanëve, që po regjistronin 32-vjeçarin andaluzian për një seri të veçantë që Amazon Prime i kishte dedikuar kapitenit.

Në dhomat e zhveshjes të dyja palët u përplasën me tone të ashpra, por pa ofenduar njëri-tjetrin. Florentino Perez, që u shfaq i zemëruar gjatë gjithë takimit për lojën e “los blancos”, sulmoi mbrojtësin e Realit, duke i vënë në dukje faktin që ishte duke bërë xhirime në tribunë, në një kohë kur shokët e tij po poshtëroheshin publikisht para syve të gjithë botës. Për më tepër presidenti i kujtoi Ramosit edhe skualifikimin e qëllimshëm në Amsterdam, dhe naivitetin për ta pranuar një gjest të tillë publikisht në një intervistë, menjëherë pas takimit të parë, që shërbeu më pas edhe si provë e pakundërshtueshme për UEFA-n për ta skualifikuar për dy ndeshje.

Fillimisht Florentino Perez bëri me faj lojtarët për gjithçka po i ndodh klubit, duke e quajtur të turpshme sjelljen e tyre, impenjimin në fushën e lojës si dhe ditët e shumta pushim të marra prej tyre, deri në momentin kur ndërhyri pikërisht kapiteni që shpjegoi me ton të ashpër se fajet nuk janë vetëm të futbollistëve. Sergio Ramos i kujtoi presidentit paralajmërimin e bërë gjatë muajve të verës për të përforcuar ekipin me një sulmues, duke theksuar se drejtuesit nuk kishin bërë një planifikim të qartë, përsa i përket të ardhmes së klubit merengues.

Në atë moment Florentino Perez e kërcënoi kapitenin me përjashtim nga ekipi, ndërsa vetë Sergio Ramos u përgjigj me fjalët se është gati të largohet nga skuadra, madje menjëherë, nëse presidenti i paguan të gjithë detyrimet, pa harruar natyrisht për t’i kujtuar numrit 1 se deri tani ka dhënë gjithçka në fushë për klubin, për skuadrën madje edhe për atë vetë.

Sergio Ramos është nën kontratë me klubin e famshëm madrilen deri në qershorin e vitit 2020, gjithsesi një përplasje e tillë në “Shtëpinë e Bardhë” të kryeqytetit spanjoll konfirmon përkeqësimin e situatës, për më tepër në një kohë kur skuadrës i mbeten edhe 12 ndeshje deri në fund të sezonit, sezon që gjithsesi do të mbyllet pa asnjë trofe, sepse siç dihet Reali me argjentinasin Santiago Solarin në drejtim i mbylli llogaritë në harkun e vetëm një jave me Kupën e Mbretit, Ligën Spanjolle si dhe Champions League-n.