12:27 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Përfaqësues të arsimit, shëndetësisë dhe policisë kërkojnë takim urgjent me krerët e shtetit për Ligjin e pagave

Pas vendimit të Avokatit të Popullit për të dërguar Ligjin për pagat në Kushtetuese, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës-SBASHK, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK si edhe Sindikata e Policisë së Kosovës-SPK kanë njoftuar se kërkojnë një takim urgjent me krerët e Kosovës.

Sipas tyre ky takim duhet të mbahet më së largu deri të martën, shkruan Indeksonline.

Reagim i përbashkët nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës-SBASHK, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK si dhe Sindikata së Policisë së Kosovës-SPK.

“Pas takimit të përbashkët të tri federatave sindikale SBASHK, FSSHK dhe SPK njoftohet opinioni i gjerë se duke pasur parasysh situatën e rënduar politike për shkak të vakuumit institucional dhe veprimit të Avokatit të Popullit që ndërlidhet me pezullimin e Ligjit të pagave kemi arritur në vendim me anë të së cilit kërkojmë takim urgjent me presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj, kryetarët e partive politike Albin Kurti –LVV, Isa Mustafa-LDK, Kadri Veseli-PDK dhe Fatmir Limaj.

Ky takim kërkohet me qëllim të informimit nga tri sindikatat për pasojat e mundshme në rast të mos implementimit të Ligjit të pagave.

Takimi duhet të mbahet më së largu deri të martën më 10.12.2019”, thuhet në njoftim./Indeksonline/