10:33 / E Hënë, 29 Tetor 2018 / indeksADMonline

Përfaqësuesit serb në Kosovë nesër në Qeverinë e Serbisë, miratohet një pako e veçantë!

Në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Serbisë të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesit e institucioneve serbe në Kosovë.

Në këtë mbledhje të Qeverisë së Serbisë pritet të miratohet një ‘pako’ për ndihme dhe mbështetje në drejtim të serbëve në Kosovë.

Kështu të paktën ka deklaruar Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ai ka thënë se kjo pako do të përfshijë ndihmë për renovim të qendrave mjekësore, rrugëve, spitalet, shkollave dhe institucione të tjera në Kosovë.

“Unë duhet të them se unë si Drejtor i Zyrës për Kosovën jam i kënaqur, i lumtur dhe krenar që populli serb ka një mbështetje të tillë në Kosovë nga Beogradi”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Tutje Gjuriq ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq përdor çdo mundësi që të bisedojë me udhëheqësit e botës për ligjin dhe interesat e Serbisë si dhe dëshirën për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

“Bashkëbiseduesit jashtë vendit shpesh herë kanë theksuar se për më shumë se 2 mijë ditë, Prishtina nuk po i përmbahet marrëveshjes për formimin e komunave me shumicë serbe, mbetet e qartë për të gjithë se argumentet janë në krah të Serbisë. Prandaj, çdo diskutim mbi këtë temë është i mirë dhe i dobishëm”,ka shtuar Gjuriq.

Gjuriq shtoi se presidenti serb ka përdorur çdo mundësi, çdo bisedë me udhëheqësit më të mëdhenj botërorë ta vërë në dukje të drejtën ndërkombëtare dhe dëshirën e Serbisë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për Kosovën./Indeksonline/