Rrahmani: Miliona për “ushtrinë” e OJQ-ve, ndërsa FSK-ja dhe Policia po mbeten pa ushtarë e policë
Kandidati për deputet Eman Rrahmani ka publikuar një video me një mesazh të fortë për mënyrën se si po shpenzohen paratë e qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, Qeveria Kurti krenohet me investimet në sektorin e sigurisë, por realiteti në terren tregon një pamje krejt tjetër: qindra ushtarë dhe policë po largohen nga uniforma, ndërsa miliona euro po përfundojnë në organizata dhe projekte të afërta me rrjetin e shoqërisë civile.
“Çfarë vlere kanë investimet në ndërtesa, pajisje e automjete, kur njerëzit që duhet t’i përdorin ato po largohen çdo ditë?”, pyet Rrahmani.
Vetëm në periudhën 2021–2024, 727 pjesëtarë të uniformuar kanë dhënë dorëheqje vullnetare. Arsyeja nuk është mungesa e patriotizmit, por mungesa e përkrahjes: paga që nuk përballojnë koston e jetesës, mungesa e sigurimit shëndetësor dhe jetësor, orë të gjata pune pa kompensim dhe mungesa e një zgjidhjeje për pensionimin e parakohshëm.
Rrahmani thotë se ndërsa ushtari dhe polici po detyrohen të kërkojnë një të ardhme jashtë uniformës, miliona euro nga buxheti i shtetit po shpërndahen për OJQ dhe projekte që nuk mbajnë kufirin, nuk luftojnë krimin dhe nuk garantojnë sigurinë e qytetarëve.
“Një shtet nuk mbrohet me aktivistë të financuar nga buxheti. Një shtet mbrohet me ushtarë e policë të motivuar, të respektuar dhe të paguar dinjitetshëm. Sot po financohet ‘ushtria’ e militantëve të shoqërisë civile, ndërsa po zbrazet ushtria dhe policia e Kosovës”, thekson ai.
Sipas Rrahmanit, prioriteti i çdo qeverie serioze duhet të jetë ruajtja e njerëzve që mbajnë uniformën e shtetit, e jo krijimi i një klase të privilegjuar përfituesish të fondeve publike.

