14:50 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Përfitimi në pension. Ministri Reçica thotë se po zbatojnë ligjin në fuqi

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës tha se me qëllim të respektimit të kontributit të të gjitha kategorive dhe krijimit të një barazie sociale, MPMS ka marrë përsipër reformën e sistemit pensional në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, MPMS është e obliguar që të zbatojë ligjet aktuale në fuqi që përcaktojnë kriteret e përfitimit në pension.

Kështu deklaroi i pyetur nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, rreth mospërfitimit të pensionit kontributdhënës nga ana e zyrtarëve policor që ishin përjashtuar nga puna në kohën e regjimit serb, në vitet e 90-ta.

“Çështja e pensionistëve në përgjithësi dhe kategorive të veçanta që janë përjashtuar nga puna nga regjimi serb i viteve 90-ta, veçanërisht zyrtarëve policorë është temë e rëndësishme dhe nga fillimi i mandatit jemi duke e trajtuar me përkushtim të lartë. Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti përcakton kriteret e përfitimit të pensionit dhe MPMS është e detyruar ti zbatojë dispozitat ligjore në fuqi. Bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë ligj, zyrtarët policor nuk janë trajtuar si kategori përjashtuese dhe me këtë rast nuk mund të jenë përfitues”, tha ministri.

Reçica tha se duke marrë parasysh të gjitha kategoritë që kanë qenë të përjashtuar në vitet e 90-ta e që nuk po mund të përfshihen në përfitim të pensionit, është menduar të bëhet reformë e sistemit pensional, rrjedhimisht, të krijohet një sistemi të qëndrueshëm pensional që njeh kontributin e të gjitha kategorive që kanë derdhur djersën e tyre.