17:15 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Përfundojnë punimet në Urën e Ibrit, Komuna e Mitrovicës fajëson BE për vonesën e hapjes

Para tetë muajsh, më saktë në muajin prill ishte paralajmëruar se ura mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë do të inaugurohej, por një gjë e tillë nuk u bë as tash në muajin nëntor, pasi që Komuna Veriore kishte ndërprerë punimet aty për interesa të saj.

Pas këtij afati, autoritetet lokale kishin njoftuar se ura do të lëshohej për qarkullim në qershor, por për mos t’u lëshuar as atë muaj, shkruan Indeksonline.

Për vonesën që po bëhet për hapjen e urës, në Komunën e Mitrovicës thonë se për këtë duhet të bisedohet me shefen e zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.

“Në lidhje me pyetjet që ju i keni adresuar për Komunën e Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri ka dhënë prononcime të shumta në media të ndryshme për çështjen e urës. Ka përmendur edhe takimin e fundit që e ka pasur me shefen e zyrës së BE-së për Kosovë, Nataliya Apostolova dhe kryetarin e veriut, Goran Rakiqi pikërisht për hapjen e urës. Kryetari Bahtiri vazhdon të jap kontributin e tij të vazhdueshëm për hapjen e urës, për gjithë këtë vonesë mund ti drejtoheni shefes së zyrës së BE-së, Apostolova”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës për Indeksonline.

Të kontaktuar nga Indeksonline, nga zyra e BE-së thonë se punimet në urën mbi Ibër tanimë kanë përfunduar.

“Teknikisht punimet për rigjallërimin e urës kryesore dhe rrethinën e saj në Mitrovicë kanë përfunduar. BE po punon me Beogradin dhe Prishtinën dhe beson se të gjitha marrëveshjet e dialogut duke përfshirë atë lidhur me urën kryesore do të zbatohen në tërësi sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së.

Kujtojmë se aktualisht, ura kryesore mbi lumin Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë.

Që nga viti 1999 ura kryesore mbi lumin Ibër ishte bllokuar në anën veriore të saj, duke u shndërruar kështu në simbol të ndarjes dhe jo bashkimit të qytetit të Mitrovicës.

Në vitin 2014, pas heqjes së barrikadës mbi këtë urë, autoritetet lokale të komunës Veriore, në urë patën ndërtuar të ashtuquajturin “Parku i paqes”. E gjithë kjo çështje ishte shndërruar në temë të bisedimeve në dialogun e Brukselit dhe në vitin 2015 ishte arritur marrëveshja për heqjen e “Parkut të paqes” dhe për rinovimin e urës, gjegjësisht për funksionalizimin e saj për qarkullim.

Tani, konstruksioni i ri, përbën një ndërtim betoni prej 53 metra të gjatë, kurse lartësia do të jetë nga 40 deri në 70 centimetra.  /Indeksonline/