13:43 / E Enjte, 30 Maj 2024 / S Z

Përfundon dëshminë dëshmitari i 69-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 69-të i ZPS-së i cili mban kodin W01336 në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari është dëgjuar e tëra në sesion privat për publikun dhe përfundoi para se të shkohet në pushimin e drekës.

Vlen të theksohet se ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurori Cezari Mihalçuk njoftoi se për javën e ardhshme janë planifikuar që të dëgjohen dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodet 03170 dhe 04410.

Po ashtu, ai njoftoi se në rast që kanë kohë, mund të thërrasin edhe dy dëshmitarë të tjerë të cilët i kanë gati e që mbajnë kodet 04824 dhe 00992 të cilët do të dëshmojnë me video-lidhje.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.