75 Mall Live Search
09:37 / E Shtunë, 25 Prill 2026 / Gj Sh

Përfundon hetimi për aksidentin fatal ku vdiq Diogo Jota, zbulohen të gjitha detajet

Autoritetet gjyqësore spanjolle kanë arritur në përfundimin se nuk ka prova për përgjegjësi penale në aksidentin me makinë që mbeti i vdekur futbollisti Diogo Jota dhe vëllai i tij më i vogël Andre Silva, duke i dhënë fund, pas një periudhe të gjatë pasigurie, hetimit për një nga ngjarjet më tragjike në historinë e kohëve të fundit të futbollit.

Aksidenti ndodhi më 3 korrik 2025, në autostradën A-52 pranë Cernadilla në Spanjën veriore, kur Lamborghini i tyre doli nga rruga gjatë tejkalimit, goditi një kangjellë mbrojtëse dhe u përfshi nga flakët.

Sipas gjetjeve të një hetimi të kryer nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Castilla y Leon, shkaku i aksidentit ishte një shpërthim gome në një moment vendimtar, gjë që çoi në humbjen e kontrollit të automjetit.

Pas një analize të hollësishme të të gjitha provave dhe me ndihmën e ekspertëve të trafikut, gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte bazë për të filluar procedurë penale. Megjithatë, familjes i mbeti mundësia të fillonte një padi civile.

Vëllezërit po udhëtonin për në Santander në kohën e aksidentit, nga ku planifikonin të merrnin një traget për në Mbretërinë e Bashkuar, ku Jota do të fillonte stërvitjen para-sezonale me Liverpoolin. Diogo po drejtonte makinën sepse i ishte këshilluar të shmangte udhëtimet me aeroplan pas një operacioni në mushkëri.

Vetëm 11 ditë para aksidentit, ai u martua me partneren e tij prej shumë kohësh, Rute Cardoso, në Porto, gjë që e bën të gjithë tragjedinë edhe më prekëse.