14:22 / E Martë, 03 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Përleshja nisi në lokal, njëri tentoi ta privonte dikë nga jeta, gjykata shpall aktgjykimin ndaj 3 të të pandehurve, në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë –  Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur  aktgjykimin dënues ndaj të pandehurve V.GJ, E.M dhe I.M.

Aktgjykimi është shpallur për shkak se: më 22.06.2019, rreth orës 22:25 minuta, në Pejë, në një lokal, për shkak të mosmarrëveshjes të atëçastshme midis të të pandehurve V.GJ, E.M dhe I.M, në njërën anë dhe të dëmtuarit A.B në anën tjetër, i pandehuri V me dashje ka tentuar ta privonte nga jeta të dëmtuarin A.B, në atë mënyrë që pasi që ishin ulur në tarracën e lokalit i pandehuri V.GJ dhe A.B fillojnë të gjestikulojnë me njëri – tjetrin lidhur me atë se kush kënd dhe pse po e shikon e pastaj nga tavolina ngritën të pandehurit V.GJ, E.M dhe I.M dhe nisen në drejtim të tavolinës së të dëmtuarit A.B me ç’rast i pandehuri V tenton ta godasë me grusht, por nuk arrin, pastaj i pandehuri E.M e kap me duar për maicë të dëmtuarin, duke e goditur me grusht dhe pasi i dëmtuari ngrihet nga karrigia e tij, i pandehuri V e kap atë karrige dhe të njëjtën e gjuan në drejtim të dëmtuarit duke e goditur në pjesën e pasme të shpinës dhe pastaj të tretë e sulmojnë të dëmtuarin ku në atë moment i pandehuri V.GJ  dhe i dëmtuari A.B nxjerrin nga xhepi brisqet duke e sulmuar njëri – tjetrin me ç’rast i pandehuri V.GJ i shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarit A.B e të cilat dëmtime në momentin e shkaktimit kanë qenë të rrezikshme për jetë. 

“Me këto veprime i pandehuri V.GJ ka kryer veprën penale vrasje në tentativë ndërsa të pandehurit E.M dhe I.M kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje.Të pandehurit V.GJ gjykata i shqiptoj dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Dënimin me bugim i pandehuri do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi .Të pandehurit E.M gjykata i shqiptoj dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj të cilin dënim i pandehuri nuk do ta vuaj nëse në afatin prej një (1) viti nuk kryen vepër të re penale.Të pandehurit I.M gjykata i shqiptoj dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj të cilin dënim i pandehuri nuk do ta vuaj nëse në afatin prej një (1) viti nuk kryen vepër të re penale”, thuhet në njoftiminpër media.

Të njëjtit obligohen që në emër të shpenzimeve të procedurës penale secili veç e veç gjykatës t’ia paguaj shumën prej 25 €, shpenzimet e paushallit gjyqësor shumën prej 25 € si dhe në emër të kompensimit të  viktimave të krimit shumën prej 50 €, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi .

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Indeksonline/