14:34 / E Enjte, 12 Shtator 2019 / indeksADMonline

Përmbytin qytetin 12.000- vjeçar për të ndërtuar një digë

Hasankeyf në juglindje të Turqisë konsiderohet si një prej vendbanimeve më të vjetra që vazhdojnë të jenë të banueshme në Tokë; ai ka me mijëra shpella, kisha e varre të hershme.

Por ky xhevahir i historisë njerëzore shumë shpejt mund të zhduket i mbuluar në pjesën më të madhe të vet nga uji, dhe kjo për shkak të projektit polemizues, Ilisu.

Hasankeyf ka qenë vërtet pjesë e shumë kulturave të ndryshme në historinë e tij të gjatë, përfshirë atë të Mesopotamisë, atë byzantine, perandoritë Arabe dhe Osmane, por Hakan Ozoglu, profesor historie në Florida, thotë se vendbanimet e gjetura atje i paraprijnë të gjithë këto civilizime.

Banorët kanë protestuar me forcë, por më kot. Puna ndërtimore për digën dhe hidrocentralin e saj nisi në 2006 dhe Hasankeyf tani është vetëm disa javë larg shkatërrimit, pavarësisht betejës për mbrojtjen e tij.

Qeveria turke u ka dhënë banorëve afat deri në 8 tetor për tu larguar. Përpjekjet për ta kundërshtuar projektin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut me arsyetimin se ai do të dëmtonte trashëgiminë kulturore të vendit, rezultuan të pasuksesshme.