18:03 / E Mërkurë, 09 Dhjetor 2020 / Blerim

Përparësitë dhe të metat e vaksinave kundër Covid-19

Autoritetet e shëndetësisë në Britani filluan injektimin e dozave të para të vaksinës Pfizer BioNTech, gjë që shënon fillimin e programit botëror të imunizimit, ndërsa vende tjera pritet të miratojnë përdorimin e vaksinës.

Por ky moment nuk nënkupton kthimin e normalitetit pasi shumë gjëra do të varen nga kushtet për shpërndarjen e vaksinës, sidomos në vendet në zhvillim. Gjithë këto diskutime vijnë ndërsa vaksina kandidate e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe firma AstraZeneca po jep rezultate të mira në prova klinike.

Fillimi i përdorimit të vaksinave nuk është fundi i sfidave. Kështu tha drejtori i përgjithshëm i Federatës ndërkombëtarë të Prodhuesve të Ilaçeve, Thomas Cueni, gjatë një konference për shtyp, ndërsa kujtoi se shpërndarja e vaksinës është një detyrë jo e lehtë.

“Po flasim për trefishim të prodhimit të vaksinës në nivel botëror. Shpresojmë të kemi 10 miliardë doza më shumë. E kemi parë që kjo është e mundur. Kjo ka rëndësi. Dhe bëhet e mundshme për shkak të bashkëpunimit të të gjithëve”, tha ai.

Veç përgëzimeve për fillimin e vaksinimit në Britani, autoritetet paralajmëruan se fushata e vaksinimit kërkon muaj dhe se masat që kanë çrregulluar përditshmërinë dhe kanë shkatërruar ekonomitë mund të vazhdojnë deri në pranverë.

Ilaçet po dërgohen në katër vendet e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo mund të shërbejë si mësim për vendet e tjera ndërsa pritet fillimi i një detyre të pashembullt, vaksinimi i miliarda njerëzve. Infektologu Ian Jones shpjegon se vaksina Pfizer përdor një teknologji ndryshe nga ato tradicionale.

“Pasi injektohet, vaksina prodhon një proteinë brenda qelizave tuaja. Kjo proteinë ndihmon formimin e sistemit imunitar”, thotë ai.

“Vaksinat që përdorin acidin ribonukleik janë si raketa që drejtohen me lazer kur krahasohen me bombardimet e përgjithshme nga vaksinat që përdorin virusin e gripit të zakonshëm që quhet adenovirus. Ato janë precise në atë që bëjnë. Ato krijojnë vetëm proteinën që na intereson, nuk bartin bagazh tjetër”, shton zoti Jones.

Një pengesë e madhe tek vaksinat me acidin ribonukleik është se ato duhet të ruhen në temperatura shumë të ulëta gjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Ndryshe mund të dëmtohen dhe të humbasin efektin. Kjo e vështirëson shpërndarjen në vendet që ende janë në zhvillim. Britania ka marrë 800 mijë doza të vaksinës Pfizer, të mjaftueshme për vaksinimin e 400 mijë njerëzve.(VOA)