Përparim Rama zbulon surprizën e verës: Prishtina shndërrohet në qendrën e tifozëve të Botërorit
Kryeqyteti i Kosovës do të marrë atmosferën e Kampionatit Botëror 2026 përmes organizimit të “Prishtina Football Fest”, një aktivitet që do të mbledhë mijëra dashamirë të futbollit në zemër të qytetit.
Sipas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga 11 qershori deri më 19 korrik, Sheshi “Zahir Pajaziti” do të shndërrohet në një hapësirë të dedikuar për tifozët, ku të gjitha ndeshjet e Botërorit do të transmetohen drejtpërdrejt në ekran gjigant.
Përveç ndjekjes së ndeshjeve, qytetarët do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme argëtuese, ndërsa janë paraparë edhe zona të veçanta për familje, grupe shoqërore dhe adhurues të sportit.
Kryetari Rama theksoi se hyrja do të jetë falas për të gjithë qytetarët, duke ftuar publikun që të bëhet pjesë e atmosferës festive që do të sjellë ngjarja./IndeksOnline/

