75 Mall Live Search
22:09 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Përplasja mes Jasharit e Lushtakut, ja kujt ja mbanë anën Lladrovci

Dy kryetarët e Drenicës, Bekim Jashari i Skenderajt dhe Ramiz Lladrovci i Drenasit, kanë një bashkëpunim të mirë në punë. Pothuajse nuk shkon java pa u takuar së paku njëherë. Por, përplasjen mes Bekim Jasharit dhe Sami Lushtakut, i pari i Drenasit nuk preferon ta komentoi assesi. Lladrovci thotë se për shkak të kaluarës së përbashkët mes tyre nuk e komenton përplasjen por beson se kjo do të tejkalohet për hirë të interesit të qytetarëve.

“Këto zhvillime në Skenderaj, nuk i komentoj për shumë arsye. Në rend të parë duke ditur të kaluarën tonë të përbashkët. Unë jam krenar me atë të kaluar dhe bashkëpunimin që kam pasur edhe kam me Lushtakun dhe Jasharin, andaj besoj fuqishëm jo vetëm në sinqeritetin e tyre por edhe në urtësinë e dy personaliteteve shumë të respektuara për mua, për Drenicën dhe kombin tonë! Është koha për të punuar dhe për të vazhduar amanetin e më të dashurve tanë, në shërbim të qytetarëve tanë. Besoj se çdo mosmarrëveshje tejkalohet kur kihet parasysh interesi aktual i qytetarëve dhe e kaluara jonë e afërt, jo vetëm në Drenicë”, ka deklaruar Lladrovci për Indeksonline.

I pari i Drenasit, ka thënë se do të angazhohet maksimalisht qe të ketë përparime, për siç e quajti ai, shokun Bekim, që t’i ofrojë bashkëpunim pa rezervë.

“Zhvillimet e fundit në komunën e Skenderajt nuk i komentoj por, angazhohem maksimalisht që të ketë përparime, të ketë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët jo vetëm për Drenas. Secila komunë i ka specifikat e veta dhe nuk implikohem në këto zhvillime, por Bekimit edhe si shok edhe si kryetar i ofroj bashkëpunim pa rezervë në kuadër të kapaciteteve të mia për të arritur objektivat në kuadër të ligjit dhe transparencës”, është shprehur Lladrovci.

Ai ka shtuar se miqësia me Jasharin është e bekuar për të, për shkak të familjes historike, Jashari.

“Jam mik me Bekim Jasharin dhe vazhdoj miqësinë që e kisha me tërë Familjen Jashari. Bashkëpunimi me Bekimin e kam thelluar edhe për funksionet shtesë që i kemi aktualisht, njëherazi jemi kryetar të komunave të Drenicës dhe e shoh shumë normale bashkëpunimin e thelluar për zhvillimin e kësaj pjese të Kosovës. Sigurisht se jam i bekuar për miqësinë që kam dhe mundësinë e bashkëveprimit me anëtarët e kësaj Familjeje historike, edhe në të kaluarën edhe tani”, ka shtuar Lladrovci.

Sot, gjatë ditës kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur më problemet brenda kësaj komune, ku asamblistët e partive anëtare të kuvendit komunal po bojkotojnë çdo thirrje për seancë. Jashari në këtë konferencë e ka përmendur edhe Lushtakun për disa keqpërdorime në Komunë por edhe për të kaluarën ku më pas kishim edhe kundërpërgjigjen e Lushtakut./Indeksonline/L.TH