19:26 / E Shtunë, 20 Shkurt 2021 / Blerim

Përplasje në ndeshjen Drenica-Besa? Flet Devolli: S’e di pse kjo urrejtje për trajnerët e Shqipërisë

Drenica është njëra ndër skuadrat me rezultatet më të dobëta në këtë edicion të Superligës së Kosovës. Skuadra nga Skenderaj nuk ka arritur as sot fitore ndaj Besës, ndeshje kjo që përfundoi pa gola, 0 me 0.

Ishte një ndeshje që përfundoi pa gola, por siç duket është shoqëruar me disa probleme pas përfundimit të saj, shkruan IndeksOnline.

Sipas mediave pas ndeshjes u nxenë edhe gjakrat në fushë, teksa brenda terrenit hyri edhe trajneri i Drenicës që ishte i pezulluar për këtë takim, Bledar Devolli dhe disa pjesëtarë të kryesisë së skuadrës që tentuan t’i sulmojnë futbollistët e Besës.

Megjithatë, në një prononcim për IndeksOnline Devolli tha se nuk asgjë të vërtetë. Sipas tij në Kosovë ka urrejtje për trajnerët nga Shqipëria.

“Nuk e di pse ka kaq urrejtje për ne trajnerët e Shqipërisë. I kam takuar gjyqtarët. I kam thënë ju lumshin këmbët. Kemi pasur vetëm debate dhe aty-këtu ndonjë provokim. S’kemi pasur grushte dhe as shqelma. Kemi pasur vetëm debate dhe s’bëhet fjalë për grushte dhe shqelma. Por shikojë që ka një dashakeqësi për trajnerët e Shqipërisë. Më vjen keq që e them, por ky është realitet. Por megjithatë nuk është që ma ndien, unë e shikoj punën time”, ka thënë Devolli për IndeksOnline.

Devolli po ashtu thotë skuadra e tij meritoi fitore sot pas një paraqitje të mirë.

“Nuk jam i kënaqur me rezultatin. Kur krijon 20 raste në një portë, dhe nuk ka gol – rezultatin e ka Zoti në dorë dhe jo ne. Kam besim te ekipi dhe do të tregojmë rezultate të mira nga ndeshje në ndeshje”, vazhdoi tutje trajneri i Drenicës.

/IndeksOnline/