13:57 / E Shtunë, 02 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Personat me aftësi të kufizuar pa trajtim të duhur

Personat me aftësi të kufizuara ende nuk kanë përkujdesje të duhur institucionale, duke qenë se ka shumë ligje që nuk zbatohen për këtë kategori. Po ashtu, ka mungesë serioze të të dhënave për këtë kategori.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, tha se ka ende punë për të bërë në avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Kreu i ekzekutivit ka përmendur disa projektligje që ende nuk janë miratuar, por që sipas tij shumë shpejt do të shkojnë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.

“Edhe sot ky takim ju që keni ardhur keni bërë shumë mirë, sepse po ia vërtetoni Kosovës rëndësinë e kësaj teme, interesimin e madh që ekziston për këtë temë, këtë kemi pasur rast të ma thoni edhe në takime që janë bërë bilaterale. Por sot edhe në shenj të ditës ndërkombëtare për të drejtat e personave me të aftësi të kufizuara, kjo pjesëmarrje e juaja sot i ka bindur të gjithë edhe ua ka kujtuar të gjithëve se sa më rëndësi është kjo temë”, tha Haradinaj.

Zëvendës ambasadori i Italisë në Kosovë, Matteo Corradini ka kërkuar nga institucionet e vendit që të bëjnë me shumë për ta përkrahur shoqërinë, sidomos këto kategori.

“Është shumë e dëshirueshme që institucionet lokale të vazhdojnë një bashkëpunim në formë globale me shoqërinë civile, në mënyrë që të monitorohet e drejta e personave me aftësi të kufizuara,  dhe të kenë qasje në informim dhe mundësive për punësim. Është një detyrë e institucioneve të Kosovës në mbështetje të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar që të vendoset një kornizë ligjore që përfshihet sipas standardeve evropiane. Po ashtu, me forma financiare në mënyrë që të luftohen aktoret diskriminues”, tha ai.

Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, ku bëjnë pjesë një mori organizatash, ka kërkuar që të mos i shohin personat me aftësi të kufizuar si barrë për shoqërinë, por si vlerë për shoqërinë.

“Mandati ynë është që çdo person me aftësi të kufizuar në vend pa marrë parasysh se kujt i takon duhet ta ndijë se është i dobishëm në këtë vend. Nuk duhet ta kuptojnë as institucionet, as shoqëria se personat me aftësi të kufizuara janë barrë e shoqërisë, por vetë pjesëmarrja, vetë potenciali juaj profesional, intelektual dhe motivi juaj për një jetë konsideroni se ne kemi vlerë dhe vlerat tona duhet të respekton dhe vlerat tona duhet të jenë si një motiv për të gjithë që ne ta ndiejmë vetëm se jemi vlerë e dobishme e shoqërisë dhe asnjë mënyrë mos ta ndiejmë se jemi barrë e shoqërisë”, theksoi Kadriu.

Drejtori i Shoqatës “Hendikos”, Afrim Maliqi, tha se sot në botë llogaritet se ekzistojnë mbi 1 miliard njerëz me aftësi të kufizuara apo 15 për qind e popullatës, që janë të prekur apo jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar. Sipas tij, kjo përqindje mund të jetë edhe në Kosovë me kufizime të çfarëdo natyre qofshin ato. Mirëpo, Maliqi thotë se ka mungesë serioze të te dhënave për këto kategori dhe njëkohësisht zbatimi i ligjit për to.

“Mirëpo, në Kosovë ka mungesë serioze të të thënave dhe shpesh herë llogariten vetëm ata persona me aftësi të kufizuara që marrin ndonjë mbështetje financiare apo mbështetje materiale. Ka edhe aftësi të kufizuara të padukshme e që ende nuk janë të vlerësuara nga institucionet tona si persona që kanë kufizime. Prandaj, mendoj se ka mungesë serioze në mbledhjen e të dhënave dhe vlerësimeve të nevojave apo të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Ka ende mungesë të zbatimit të ligjeve duke nënkuptuar mungesën e nxjerrjeve të disa akteve nënligjore për disa ligje të veçanta”, theksoi Maliqi.

Ndërsa, drejtoresha e organizatës “Down Sindrom Kosova”, Sebahate Beqiri, vlerësoi se Kosova ende është larg realizimit te të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Fatkeqësisht, jemi shumë larg realizimit të drejtave në përgjithësi të personave me aftësi të kufizuar. Kemi shumë ligje që trajtojnë në fusha të ndryshme aftësinë e kufizuar, mirëpo këto ligje nuk janë ligje të harmonizuara mirë. Kemi ligjin për aftësimin profesional që mbështet punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ndërsa kemi ligjin mbi skemat pensionale që mohon në njëfarë mënyre punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Nuk kemi ligj që mbështet fëmijët me aftësi të kufizuar dhe prindërit që nga lindja”, u shpreh Beqiri.

Çdo vit më 3 dhjetor shënohet Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara, e cila është shpallur nga Asambleja e Kombeve te Bashkuara në vitin 1992, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqene të personave me aftësi te kufizuar.