75 Mall Live Search
20:17 / E Enjte, 02 Prill 2026 / Z S

Përurohen katër ndërtesa sociale të rinovuara me masa të efiçiencës së energjisë në Obiliq dhe Drenas

Është mbajtur ceremonia e përurimit të punimeve në katër ndërtesa shumë-banesore sociale, përkatësisht në Komunën e Obiliqit dhe në Komunën e Drenasit, në kuadër të projektit: “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.

Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se ky projekt synon përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, përmes rritjes së efiçiencës së energjisë dhe uljes së kostove të energjisë për familjet përfituese.

Nga Obiliqi, ajo bëri të ditur se investimet në dy ndërtesa sociale në fshatin Plemetin kanë rezultuar me ulje të konsumit të energjisë deri në 73%.
“Masat e zbatuara janë të plota: izolimi i mureve, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, izolimi i çatisë, ndriçimi i ri LED me efiçiencë të lartë dhe instalimi i sistemit të ri të ngrohjes. Krahas këtyre, janë realizuar edhe punime të rëndësishme për sigurinë dhe funksionalitetin e ndërtesave, përfshirë riparimin e korridoreve, përmirësimin e instalimeve elektrike, sistemin paralel të ujësjellësit, hidroizolimin dhe masat kundër zjarrit”, tha ministrja Rizvanolli.

Ndërkaq, sa i përket investimeve në dy ndërtesa sociale në Drenas, ministrja theksoi se investimi prej mbi 380 mijë euro ka përmirësuar drejtpërdrejt kushtet e jetesës për 50 familje, përkatësisht rreth 250 qytetarë./Indeksonline/