75 Mall Live Search
15:09 / E Enjte, 19 Shtator 2024 / MSH

Pesë gra në Londër thonë se janë përdhunuar nga ish-biznesmeni i njohur

Pesë gra thonë se janë përdhunuar nga ish-pronari i “Harrods”, Mohamed Al Fayed, kur punonin në dyqanin luksoz në Londër.

BBC ka dëgjuar dëshmi nga më shumë se 20 ish-punonjëse femra që thonë se miliarderi, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 94-vjeçare, i sulmoi seksualisht ose i përdhunoi ato.

Dokumentari dhe podkasti “Al-Fayed: Predator in Harrods” mblodhën prova që, gjatë pronësisë së Fayedit, kompania jo vetëm që nuk arriti të ndërhynte, por ndihmoi në fshehjen e akuzave për abuzim.

Pronarët aktualë të “Harrods” thanë se ishin “plotësisht të tmerruar” nga akuzat dhe se dështuan të trajtojnë viktimat e këtij rasti, për të cilin dyqani kërkoi sinqerisht falje, shkruan BBC.

“Rrjeti i korrupsionit dhe abuzimit në këtë kompani ishte i pabesueshëm dhe shumë i errët”, thotë avokati Bruce Drummond, nga ekipi ligjor që përfaqësonte një numër grash.

Incidentet, sipas BBC-së, kanë ndodhur në Londër, Paris, St. Tropez dhe Abu Dhabi.

“E bëra të qartë se nuk doja që kjo të ndodhte. Unë nuk kam dhënë pëlqimin. Thjesht doja që të përfundonte”, thotë një nga gratë, e cila thotë se Fayedi e përdhunoi në apartamentin e tij, në Park Lane.

Një grua tjetër thotë se ishte adoleshente kur ai e përdhunoi në Mayfair.

“Mohamed Al Fayed ishte një përbindësh, një grabitqar seksual pa asnjë busull morali” thotë ajo, duke shtuar se i gjithë stafi në “Harrods” ishin “lojë” e tij.

“Të gjithë ishim shumë të frikësuar. Ai kultivoi në mënyrë aktive frikën. Nëse ai do të thoshte ‘kërce’ punonjësit do të pyesnin ‘sa lart’.”

Fayed u përball me akuzat për sulm seksual edhe gjatë kohës sa ishte gjallë.