00:41 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019

Pesë këshilla që duhet të ndiqni për ti parandaluar rrudhat

Je rreth të tridhjetave dhe ke vënë re shenjat e para të plakjes? Para se të shtypësh butonin e panikut, duhet të kuptosh se plakja e lëkurës dhe formimi i rrudhave janë procese krejtësisht normale të jetës. Në fakt, lëkura është “mëkatarja” e parë, që të zbulon moshën që ke.

Megjithatë, disa modifikime në mënyrën dhe stilin e jetesës, mund të të tregojnë shumë më të re se mosha reale. Për të të ndihmuar të jesh në rrugën e drejtë, këtu ka disa këshilla që duhet t’i kesh parasysh për të mbajtur lëkurën të duket sa më e re të jetë e mundur.

Shmang ekspozimin e tepërt në diell

Është shkaku numër një i ndikimit të rrudhave, sipas dhjetëra studimeve të bëra në këtë fushë. Mbroje lëkurën nga rrezet e diellit, së pari duke qëndruar në shtëpi në kohën kur dielli është shumë i fortë dhe së dyti, bëje zakon përdorimin e një kremi mbrojtës me SPF të lartë dhe të mjaftueshme sa herë që del jashtë shtëpisë. Aplikoje të paktën 20 deri në 30 minuta para se të dalësh në diell dhe, mos harro! Edhe në vjeshtë e dimër, jo vetëm në verë!

Pi shumë ujë

Hidratimi i pamjaftueshëm është shkaku i dytë kryesor i rrudhave të tepërta. Në mënyrë që të qëndrojë me lagështi dhe elastike, lëkura ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me ujë. Nëse trupi nuk do të marrë lëngje të mjaftueshme, qelizat do të vdesin dhe lëkura, përfundimisht do të fillojë të humbasë elasticitetin duke lënë rrudhat në dritë.

Bëj gjumë të mjaftueshëm

Kur nuk bën gjumë të mjaftueshëm, trupi prodhon kortizol (një hormon që prishet qelizat e lëkurës) në sasi të tepërt. Ndaj duhet të jesh e kujdesshme që orët e gjumit t’i konsiderosh të shenjta, në mënyrë që lëkura të marrë sasinë e caktuar të hormonit HGH (hormon i rritjes njerëzore), i cili ndihmon që lëkura të jetë e trashë, elastike dhe me më pak gjasa për t’u rrudhosur.

Ha ushqim të shëndetshëm

Tashmë, kjo këshillë duhet të jetë e qartë për çdo person, por është në ndihmë edhe të një lëkure të shëndetshme e pa rrudha. Konsumo sa më shumë ushqime të pasura me vitamina nga frutat dhe perimet e stinës. Po ashtu, mos neglizho frutat e thata si arra dhe lloje të ndryshme farash, të cilat janë të gjitha efektive, luftojnë plakjen e lëkurës dhe përmbajnë sasi të konsiderueshme antioksidantësh. Të gjitha në një paketë të vetme!

Mos e laj shumë shpesh fytyrën

Larja e shpeshtë e fytyrës pengon seriozisht elasticitetin e saj, sepse largon yndyrën dhe lagështinë natyrore të saj – dy përbërës që mbrojnë kundër rrudhave. Ndaj mos e laj shpesh, për ta mbrojtur atë. Më shumë se sapuni, përdor më mirë një pastrues natyral.