75 Mall Live Search
17:51 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Pesë sportistë do të përfaqësojnë Kosovën në LO për të rinjë, Buenos Aires 2018

Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet me pesë sportistë në Lojërat Olimpike për të rinj (LOR), Buenos Aires 2018, të cilat mbahen prej 6-18 tetor në Argjentinë.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka marrë konfirmimin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) për pesë sportistë të pesë sporteve të ndryshme.

Pas xhudistes Erza Muminoviq, e cila është e vetmja që ka fituar normën Olimpike Buenos Aires 2018, Kosovën do ta përfaqësojnë edhe katër sportistët tjerë: Melisa Zhdrella (not), Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë) dhe Bleron Fetaovski (peshëngritje), transmeton IndeksOnline.

Erza Muminoviq dhe trajneri i saj, Driton Kuka

Erza është kampione e Evropës për U-18, pas medaljes së artë të fituar në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, në qershor të këtij viti.

Zhdrella, Maliqi dhe Fetaovski janë ftuar nga KON-i në bazë të kriterit të univerzalitetit (komisioni tre palësh: Solidariteti Olimpik i KON-it, Federata Ndërkombëtare përkatëse dhe ANOC), kurse Ramadani është ftuar nga Federata Evropiane e Atletikës. Ai garon në hedhje të gjyles 5 kilogramë.

Bashkë me sportistët në Buenos Aires 2018 do të udhëtojnë edhe trajnerët. Të drejtë pjesëmarrje në LOR kanë sportistë të moshës 14-18 vjeçare.

Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Olimpike për të rinj, në të cilat synon të fitojë medalje.

Xhudistja, Erza Muminoviq, pas bërjes kampione e Evropës për U18

Sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në LOR Buenos Aires 2018
Erza Muminoviq, xhudo (kategoria -44 kg)
Bleron Fetaovski, peshëngritje (kategoria -77 kg)
Erdonis Maliqi, boks (kategoria -64 kg)
Muhamet Ramadani, atletikë, (hedhje e gjyles 5 kg)
Melisha Zhdrella, not (50 m. bretkocë, 50 m. krol)

Muhamet Ramadani, atlet

Bleron Fetaovski, peshëngritje

Melisa Zhdrella, notare

Erdonis Maliqi, boksier