75 Mall Live Search
22:41 / E Martë, 17 Shtator 2024 / MSH

Peshkaqeni sulmon për vdekje turisten gjermane në ishujt Kanarie

Një turiste gjermane vdiq, pasi u sulmua nga një peshkaqen të hënën, rreth 500 kilometra larg arkipelagut të Ishujve Kanarie, tha për AFP shërbimet detare të kërkimit dhe shpëtimit të Spanjës (SASEMAR).

30-vjeçarja, e cila po udhëtonte me një katamaran, u sulmua nga një peshkaqen teksa po notonte të hënën pasdite, 278 milje në jugperëndim të ishujve Kanarie.

Shërbimet spanjolle të urgjencës u alarmuan për nevojën e një “evakuimi mjekësor” dhe pas konsultimit me autoritetet marokene, dërguan një helikopter në zonën detare ku ndodhej anija britanike e kënaqësisë “Dalliance Chichester”.

Pak orë më vonë, turistja 30-vjeçare hipi në helikopter e amputuar (ajo humbi këmbën nga sulmi i peshkaqenit) dhe vdiq nga arresti kardiak ndërsa po transportohej në një spital të Las Palmas.

Sulmet e peshkaqenëve janë shumë të rralla në këtë zonë. Vitin e kaluar pati 69 sulme peshkaqenësh në mbarë botën që vranë dhjetë njerëz: katër vdekje u regjistruan në Australi, dy në SHBA dhe nga një në Bahamas, Egjipt, Meksikë dhe Francë.