09:19 / E Enjte, 22 Shkurt 2024 / MSH

Peshkopi australian akuzohet për përdhunim të disa fëmijëve

Peshkopi australian, Christopher Saunders është akuzuar për përdhunim dhe një sërë veprash seksuale ndaj fëmijëve, për disa vite.

74-vjeçari u arrestua në Broome, pas hetimeve paralele të urdhëruara nga policia australiane, raporton BBC, transmeton Indeksonline.

Saunders, i cili ka mohuar akuzat në të kaluarën, iu refuzua lirimi me kusht dhe do të paraqitet në gjykatë të enjten.

Ai është një nga klerikët katolikë më të vjetër që përballet me akuza të kësaj natyre.

Saunders akuzohet për dy akuza për përdhunim, 14 akuza për sulm ilegal dhe të pahijshëm dhe tri akuza për sjellje të pahijshme me një fëmijë.

Shkeljet e supozuara ndodhen në qytetet Broome, Kununurra dhe komunitetin aborigjen të Kalumburu midis viteve 2008 dhe 2014.

Saunders është zyrtari më i lartë katolik në vend që akuzohet për veprime seksuale me fëmijë.

Në një deklaratë të enjten, Konferenca e peshkopëve katolikë australianë premtoi të bashkëpunojë me policinë dhe tha se akuzat kundër Saundersit ishin “shumë serioze dhe thellësisht shqetësuese, veçanërisht për ata që i bëjnë ato akuza”.

“Është e drejtë, e duhur, dhe me të vërtetë e nevojshme, që të gjitha akuzat e tilla të hetohen tërësisht”, tha kryepeshkopi i Perthit, Timothy Costelloe.

Për vite me radhë, Saunders është përballur me hetime të dyfishta mbi akuzat për abuzim seksual.

Akuzat u ngriten për herë të parë në vitin 2020, por hetimi fillestar i policisë aso kohe u mbyll pa akuza.