19:18 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Petkoviq: Kryetarët e dorëhequr të komunave veriore mbrojtën kriminelin e dëshmuar Radojiçiq

Politikani serb, Sllavisha Petkoviq, ka thënë se dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës nuk është një veprim që duhet të merret seriozisht.

“Si një shfaqje teatrale – kur do të ishte dukur kjo serioze, do ta merrja seriozisht. Kur edhe ministrat në Qeveri do të japin dorëheqje, kur deputetët do të japin dorëheqje edhe kur Lista Serbe t’i braktisë institucionet – katër kryetarë të komunave nënshkruajnë deklaratat për ndaljen e bashkëpunimit me Prishtinë kurse ministrat rrinë ulur në Qeveri, deputetët janë akoma deputetë të Kuvendit të Kosovës, si ta marrtë seriozisht?”.

“Ata vetëm kanë paraqitur kërkesat, sikur t’i shihni kërkesat e tyre – ata kanë mbrojtur kriminelin e dëshmuar Milan Radojiçiqin”.

“Të gjitha protestat janë që të bëhet presion që të ndalen hetimet kundër Milan Radojiçiqit”.

“Këto kërkesa janë vetëm të fshihet esenca e vërtetë”.

“Sinqerisht, ne në jug të Ibrit, nuk jemi të interesuar se çka do të ndodhë në veri sepse në jug të Ibrit janë 70 % të serbëve dhe vetëm 30 % janë në veri”.

“U rekomandoj institucioneve ndërkombëtare dhe lokale që të kemi vëmendje ne në jug të Ibrit sepse nuk është logjike dhe nuk është mirë që të injorohen 70 % të serbëve”.

“Mund të ndodhë shumë lehtë që të kemi probleme edhe në jug të Ibrit. Mos injoroni 70 % të shumicës për shkak të vullnetit të 20-25 % të serbëve që jetojnë atje”.

“Veriu na ‘thith’ gjakun neve në jug. Prej se është krijuar kjo Qeveri, asnjë cent nuk është dhënë në jug të Ibrit – të gjitha shkojnë në veri”.

“Ato çfarë jep Qeveria e Serbisë shkojnë në veri, çdo qindarkë shkon në veri – pse dikush do të kishte menduar se ne në jug të Ibrit na brengos çka ndodh në veri?”.

“Sa na përket neve, rrugë të mbarë. Edhe ne kemi probleme. Të gjitha jepen për veri – 70 % të serbëve në Kosovë jetojmë në jug të Ibrit”.