17:15 / E Diele, 07 Maj 2023 / AR

Petkoviq: Mandati i Ekipit Menaxhues zgjat deri në përfundim të formimit të Asociacionit

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka thënë se mandati i Ekipit Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe zgjat deri në përfundimin e procesit të formimit të Asociacionit.

Siç thotë ai nuk ka bazë ligjore që “kryeministri Albin Kurti në mënyrë të njëanshme ta shkarkojë atë organ”.

“Fakti që nuk i pëlqen drafti i Statutit të Asociacionit është problem i tij personal, sepse mandati i Ekipit Menaxhues ekzistues është aktiv dhe i vlefshëm, i konfirmuar në disa raste nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por edhe nga lart, si dhe nga Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell”.

“Prandaj, para se Kurti të kontestojë funksionimin e Ekipit Menaxhues, le ta rinovojë materialin dhe le ta rilexojë deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano se ekipi menaxhues nuk mund të zëvendësohet në mënyrë të njëanshme, sepse ata janë pjesë e procesit të dialogut dhe se për ta është ende e vlefshme përbërja e atij ekipi”, tha Petkoviq.

Sipas tij, edhe Borrelli në fjalimin e tij, pas raundit të fundit të dialogut më 2 maj, theksoi se BE-ja do të vazhdojë të ftojë ekipin menaxhues në takime në Bruksel nëse është e nevojshme.