13:32 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / A. M.

Petkoviqit i “djegë” deklarata e Melizës, tregohet qesharak me çështjen e “dëbimit të serbëve”!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u ndalua ta vizitonte Kosovën nga autoritet e kësaj të fundit. Kështu ka deklaruar drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas tij, vizita ishte planifikuar, por ishte anuluar për shkak të vdekjes së Patriarkut Irinej, transmeton Indeksonline

Ai ka reaguar edhe ndaj mesazhit të ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila tha se Vuçiqi nuk do të marrë leje për të vizituar Kosovën derisa të kërkojë falje për gjenocidin.

“E pyes ministren kosovare se nëse zyrtarët serbë duhet të kërkojnë falje për 220.000 serbë të dëbuar nga Kosova, tregtinë me organe serbe, për faktin se për 20 vjet askush nga shqiptarët nuk ishte përgjegjës për krimet kundër serbëve …”, u shpreh ai.

Më tej, ai nënvizoi se askush nuk e ndaloi presidentin e Serbisë të hynte në Kosovë, por që Beogradi anuloi vizitën e planifikuar të shtunën e kaluar.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, në një postim në Twitter, i ka reaguar presidentit serb, Aleksander Vuçiq, pasi ky i fundit në përurimin e një spitali në Batajnicë, tha se ndihet krenar që është kryetar i një shteti, që pas 21 vjetësh nga përfundimi i luftës ka dhënë leje për të kryer gërmimet në varrezat masive të shqiptarëve të vrarë nga Serbia, transmeton IndeksOnline.

Stublla publikisht e ka pyetur presidentin serb, si familjare e prekur nga gjonocidi i Serbisë, se “A ndihet po kaq krenar” edhe kur ka qenë në tavolinën kur u mor vendimi për të kryer këto krime?

Teksa edhe një herë e ka përsëritur se nuk ka leje për vizitat e ardhshme të Vuçiqit dhe të tjerëve në Kosovë derisa s’ka falje për gjenocidin e kryer. /Indeksonline/