11:27 / E Mërkurë, 08 Dhjetor 2021 / B O

Peugeot nga viti 2030 do të prodhojë vetëm vetura elektrike për tregun evropian

Peugeoti u është bashkuar disa kompanive që kanë premtuar se në dekadën e ardhshme nuk do të ofrojnë për shitje vetura me motor me djegie të brendshme për tregun evropian.

Sipas planeve të fundit, Evropa do të jetë ndalesa e parë në rrugën e Peugeotit drejt elektrifikimit të plotë, sepse kompania franceze nën kujdesin e grupit Stellantis njoftoi se nga viti 2030 do t’u ofrojë evropianëve vetëm vetura elektrike.

Sipas CEO-s Linda Jackson, Peugeoto do të vazhdojë të prodhojë vetura me motor me djegie të brendshme për dekadën e ardhshme, por do të dërgohen për tregjet jashtë Evropës.

Peugeoti tashmë po ofron versione me energji elektrike të modeleve 208 dhe 2008 për klientët në Evropë dhe oferta do të zgjerohet nga viti 2023 me modelin e gjeneratës aktuale 308 me energji elektrike, e ndjekur nga një version elektrik i bazuar në gjeneratën e ardhshme 3008.

Peugeoti nuk është kompania e parë e veturave nën kujdesin e Stellantis që njoftoi se së shpejti nuk do të shesë më vetura me motor me djegie të brendshme në Evropë. Plane të ngjashme kanë shpallur tashmë edhe DS Automobiles, Alfa Romeo dhe Opel.