16:04 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020

Pezullohet llogaria në Twitter e Qeverisë së Hungarisë

Qeveria hungareze tha të mërkurën se llogaria e saj zyrtare në rrjetin social Twitter është pezulluar “pa ndonjë paralajmërim”.

“Ne kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe jemi duke pritur një shpjegim zyrtar nga Twitter”, tha zëdhënësi i qeverisë, Zoltan Kovacs në llogarinë e tij në Twitter.

Kovacs e quajti pezullimin si një akt censure kundër qeverisë së kryeministrit nacionalist, Viktor Orban, duke thënë me ironi: “Më në fund, një botë e re dhe e bukur ka ardhur, në të cilën kompanitë e teknologjisë po heshtin ata që kanë mendime të ndryshme”.

Çdo përpjekje për të hyrë në llogarinë e qeverisë hungareze përballet me mesazhin “përdoruesi @abouthungary është pezulluar.”

LLogaritë tjera zyrtare të mediave sociale të Hungarisë duket se po funksiononin normalisht të mërkurën, raporton agjencia AFP.

Sipas organizatës Freedom House, demokracia në Hungari – vend anëtar i Bashkimit Evropian – ka qenë në rënie gjatë dekadës së kaluar.

Në raportin e fundit të publikuar në muajin maj, Freedom House e përshkroi Orbanin si udhëheqës që “nuk bën asnjë veprim për të respektuar institucionet demokratike”.