Pika kufitare me Serbinë në Kapi afër funksionalizimit
Ministri i Punëve të BrendshmeFlamur Sefaj, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kanë qëndruar për një vizitë në komunën e Kamenicës, me ç’rast vizituan drejtorinë e Policisë së Kosovës dhe pikën e kalimit kufitar në Kapi.
Zëvendësdrejtori regjional në Gjilan, Shaban Azizi dhe komandanti i stacionit policor kapiten Nazif Hajrizi, e njoftuan ministrin se situata e përgjithshme e sigurisë është e mirë, me përjashtim të rasteve sporadike që nuk ndikojnë drejtpërdrejti në sigurinë e qytetarëve në këtë komunë.
Ai po ashtu vuri në dukje sfidat me të cilat ballafaqohet policia gjatë kryerjes së punës së tyre të përditshme.
Ministri ka vënë në dukje angazhimin e tij personal për përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës.
“Jam duke mbajtur takime të drejtpërdrejta për të parë nga afër situatën e përgjithshme, për të vepruar më pas konkretisht në vizionin për të pasur një polici moderne”, theksoi ministri.
Pas takimit, delegacioni vizitoi edhe pikën e përbashkët të kalimit kufitar – Kapi, mes Kosovës dhe Serbisë, ku panë nga afër punimet që janë bërë në këtë pikë.
Me këtë rast, u konstatua se në këtë pikë të kalimit kanë mbetur edhe disa punë të vogla për ta funksionalizuar plotësisht, në mënyrë që të lëshohet për qarkullim, që do të ndihmonte në lehtësimin e lëvizjes për qytetarët e kësaj zone. /AktivPress