12:30 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Pioli “fërkon duart” para derbit, gati tri rikthime të rëndësishme

Milani e nisi kampionatin në mënyrë perfekte me tri fitore në po kaq ndeshje dhe tani ndodhet në krye të renditjes bashkë me Atalantën, me nga 9 pikë secila, por java e katërt i vë kuqezinjtë në një test të vërtetë, derbin e Madonninës përballë Interit.

Sfida është parashikuar menjëherë pas ndërprerjes në favor të përfaqësueseve, më 17 tetor, ndërsa trajneri i Milanit, Stefano Pioli “fërkon duart” pasi ndaj zikaltërve do të ketë në dispozicion edhe tre futbollistë mjaft të rëndësishëm të formacionit.

I pari është kapiteni Alessio Romagnoli, i cili i mungon skuadrës që prej fundit të sezonit të kaluar dhe tani ka lënë pas dëmtimin e po vijon rikuperimin me hapa të shpejtë, me synimin për të qenë gati të luajë nga minuta e parë në derbi.

Mbrojtja është “thembra e Akilit” për skuadrën e Piolit, pasi momentalisht në dispozicion janë vetëm Simon Kjaeri dhe i riu Gabbia, ndaj rikthimi i Romagnolit do të rriste sigurinë në prapavijën e kuqezinjve.

Dy rikthimet e tjera priten në sulm dhe bëhet fjalë për titullarët Zlatan Ibrahimoviqi e Ante Rebiqi. Gjiganti suedez është ende në shtëpi i izoluar për shkak të koronavirusit dhe ndonëse pa simptoma nuk mund të stërvitet nën urdhrat e Piolit derisa të shërohet plotësisht.

Trajneri shpreson që Ibra të nisë stërvitjen me grupin në fillim të javës së ardhshme, për të qenë në formën më të mirë për derbin e fundjavës, ndërsa dëmtimi në bërryl i sulmuesit kroat po ecën shumë mirë, megjithatë vetëm në fillim të javës së ardhshme do të konfirmohet nëse do të luajë nga minuta e parë apo do ta nisë nga pankina.