10:34 / E Martë, 13 Gusht 2019 / indeksADMonline

Pishina e vetme e kryeqytetit, qytetarët të pakënaqur me kushtet

Në sezonin e verës kur temperaturat janë të larta, dihet që qytetarët zgjedhin mënyra të ndryshme për t’u freskuar.

E një nga zgjedhjet më e shpeshtë janë pishinat, ku ata vendosin ta kalojnë ditën aty. Kryeqyteti, ka vetëm një pishinë, të Gërmisë, i cili pothuajse gjithmonë është i mbushur me njerëz, sidomos ditëve të vikendit.

Mirëpo, qytetarët po shprehen të pakënaqur, lidhur me kushtet që ka pishina e vetme në kryeqytet. Sipas tyre, kjo pishinë nuk i plotëson as kushtet elementare, duke filluar kështu nga çadrat, shkruan Indeksonline.

Një qytetare, e cila kishte vendosur ta kalonte një ditë në këtë pishinë është shprehur e zhgënjyer pasi sipas saj, fëmijët janë rrezikuar sa herë që fryn era, sepse çadrës i mungonte baza në të cilën duhej të vendosej dhe është detyruar në mënyra të ndryshme ta mbante atë.

“Çadrat paguhen, mirëpo nuk janë komplet, personi i cili kontrollon çadrat thotë se duhet ta gjesh vetë bazën e çadrës pasi ai nuk i ka komplet. Derisa ishim në pishinë, sapo fryn era, çadra është zhvendosur nga vendi dhe kështu janë rrezikuan fëmijët përreth”, i ka thënë B.H Indeksonline-s.

E një tjetër qytetare përveç këtyre problemeve është ankuar edhe për çmimin e hyrjes në pishinë, duke thënë se është i lartë pasi sipas saj, pishina nuk është në nivel të tillë.

“Shumica prej qytetarëve vendosin ta kalojnë ditën në pishinën e Gërmisë gjatë ditëve të vikendit, pasi jemi më të lirë, mirëpo çmimi gjatë vikendit dallon nga ditët e tjera të javës dhe kjo më duket e paarsyeshme”, është shprehur Sh.Z për Indeksonline.

Ndryshe, më 15 qershor është bërë hapja zyrtare e pishinës së Gërmisë, e cila do të funksionojë deri në swhtator./Indeksonline/