13:29 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020 / indeksADMonline

Pjesëmarrja e grave për trashëgimi në pronë

Vetëm 4 për qind e grave në Kosovë u respektohet kjo e drejtë. Ndërsa, 17 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruara në emër të tyre. Kjo përqindje kaq e ultë vjen si rezultat i disa faktorëve të ndryshëm. Një prej tyre është se trashëgimia në pronë konsiderohet si diçka e cila u takon vetëm djemve apo burrave të familjes, por jo edhe vajzave apo grave.

Secili-a prej nesh kërkojmë të trajtohemi barabartë, mirëpo jo shumë e kuptojnë dhe respektojnë atë. Gratë në Kosovë ballafaqohen me sfida të shumta kur ka të bëjë me çështje sa i përket gëzimit të drejtave të tyre. Janë disa faktorë që ndikojnë në këtë aspekt, e një prej tyre është edhe mentaliteti patriarkal i shoqërisë kosovare. Megjithëse ka institucione e organizata të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave

Nga shumë të drejta të cilat iu cenohen njëra vajzave dhe grave, prej tyre është edhe e drejta e për trashëgimi në pronë. Ani pse një gjë e tillë është rregulluar me ligj. Kjo specifikohet në Ligjin për Trashëgimi i Kosovës, neni 3 pika 1 thotë se “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”.

Përkundër kësaj vetëm 4 për qind e grave në Kosovë iu respektohet kjo e drejtë. Ndërsa, 17 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruara në emër të tyre. Kjo përqindje kaq e ultë vjen si rezultat i disa faktorëve të ndryshëm. Një prej tyre është se trashëgimia në prone konsiderohet si diçka e cila u takon vetëm djemve apo burrave të familjes por jo edhe vajzave apo grave.

Përmes një pyetësori dhe intervistave të realizuara mbi temën, del se në Kosovë gjeneratat e reja po mundohen ta ndryshojnë traditën mbi të drejtën e trashëgimisë në pronë, vetëm për djemtë apo burrat. Prej përgjigjeve dhe të dhënave të mbledhura, 10 % prej 50 personave të moshës 15 – 30 vjeç (20 vajza dhe 30 djem) mendojnë se vajzat apo gratë nuk duhet të kenë të drejtë mbi pronë, kurse 90% të tjerë janë shprehur pro kësaj të drejte.

Shumica e të intervistuarve (diku 80%) të cilët kanë menduar se gruas nuk i takon kjo e drejtë janë munduar të justifikojnë veten duke përdorur martesën dhe pasurinë e cila i mbetet vëllait. Duke thënë se ajo duhet të ndihet e lirë të jetoj me vëllain por jo të posedojë vet trashëgiminë e cila i takon me ligj.

“Mendoj se është një mundësi e mirë që ato të bëhen zote të vetes e mos te qenë nevojë të jenë te varura nga bashkëshorti. Dhe fakti qe jam mashkull nuk më bënë më të aftë të marrë pasuri më shume se motra ime”, është deklarata e një prej të intervistuarve, A.K. Sipas tij martesa është zgjedhje personale e gjithësecilit/es, e jo detyrim.
“Martesa është zgjedhje jo e detyrueshme dhe nuk duhet të përcaktojë fatin e gruas në asnjë mënyrë, pasi qe jemi rritur të gjithë në kushte të njëjta dhe kemi ndarë dashurinë e njëjtë prindërore mendoj se motrës sime i takon e njëjta pasuri e cila më takon edhe mua”, ka shtuar A.K.

Për dallim nga A.K, ka shumë të atillë që ende mendojnë se vajzat dhe gratë nuk kanë të drejtën e trashëgimisë në pronë pasi që të janë martuar, por më shumë duke konsideruar vajzën/gruan si pronë të familjes së partnerit të saj. Një mendim të tillë ndanë edhe L.S.

“Gjithçka varet nga rrethanat, e martuar apo jo, sepse mendoj pas martesës, ajo grua veç i takon një familje tjetër pra nuk kujdeset për prindërit më, e nuk kontribuon në zgjerimin e pasurisë së babait të saj. I takon pasuria e burrit që do ia trashëgojnë fëmijëve në bazë të kushteve financiare apo çfarëdo kushtesh tjera. Kurse për gratë që janë të pamartuara mendoj se kanë plotësisht të drejtë qëndrimi në shtëpinë e vëllait apo babait nëse familja nuk ka kushte të mjaftueshme të i ofrojnë vendbanim e nëse kanë kushte shumë të mira monetare atëherë pse jo t’i ofrojnë kushtet më të mira”, thotë L.S.

Mospërfillja e të drejtës për trashëgimi gjatë viteve ka krijuar një imazh për gratë dhe vajzat si qenie të varura nga burri, babi ose vëllai. Në shumë raste gruaja nuk është motivuar të jetë e pavarur por është rritur në frymën se gjithmonë do të jetë “pronë” e dikujt.

Duke folur për martesën dhe mënyrën se si ka ndikuar një martesë në jetën e grave të cilat ishin plotësisht të varura nga burri personat e intervistuar i kemi pyetur se si do të reagonin në rastin kur gruaja e varur do të ishte motra e tyre. Shumë ndërruan mendimin duke thënë se do i ofronin nga pasuria e tyre dhe shumë, të tjerë duke i ofruar familjen në shtëpinë e tyre.

Edhe pse ende qëndrojmë me mentalitetin se vetëm djali duhet të trashëgojë pasuri, duhet punuar ende dhe është shumë e nevojshme që të ngritët niveli i vetëdijesimit për rëndësinë e kësaj çështje. Megjithatë, gjeneratat e reja po mundohen të punojnë që në të ardhmen mos të ballafaqohemi me diskriminime të tilla.

Mbi autoren: Liburna Mehmeti,17 vjeçare nga Prishtina, vijon mësimet në shkollë të mesme në drejtimin e shkencave natyrore.

Ilustrimi: Argjira Kukaj

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).