15:20 / E Diele, 26 Maj 2019 / indeksADMonline

Pjesëmarrje e madhe në votimet për Parlamentin Evropian

Në shumë vende të Bashkimit Evropian është tejkaluar përqindja e pjesëmarrjes në votimet e para pesë vjetësh. Në Francë, sipas vlerësimeve të para, deri në mesditë kanë votuar 19,26 % e zgjedhësve, kumtoi Ministria e Brenshme në Paris. Në vitin 2014 përqindja e votimit deri në mesditë ishte vetëm 15,70%, ndërsa me 2009 rreth 14,8 %.

Në Hungari dhe në Sllovaki kanë votuar deri në mesditë madje më shumë votues se në zgjedhjet nacionale. Në Hungari kanë votuar deri në ora 11:00, rreth 17,2 %. Para pesë vjetësh në të njëjtën kohë kishin votuar 11,5 %. Ekspertët thonë se në këtë vend janë mobilizuar më së shumti zgjedhësit në zonat rurale.

Në Sllovaki kanë votuar, sipas prognozave të deritanishme rreth 20%. Kjo është përqindja më e lartë deri tani, krahasuar me të gjitha vendet e tjera të BE-së.

Edhe në Rumani është tejkaluar dukshëm niveli i numrit të zgjedhësve që kanë votuar para pesë vjetësh. Deri në mesditë kanë votuar atje 19,75% e rumunëve, ndërsa më 2014 ishin në të njëjtën periudhë kohore vetëm 12,4% e zgjedhësve që kishin shfrytëzuar këtë të drejtë. Përqindje më e madhe në votime është shënuar edhe në Letoni, Maltë dhe shumë vende të tjera, raporton DW.

Prognozat e para për pjesëmarrje në votimet në Gjermani do të publikohen në 15:30, por sipas sondazheve të deritanishme, edhe në këtë vend janë tejkaluar shifrat e zgjedhjeve të kaluara. Prognozat e para për rezultatet në Gjermani do të publikohen në orën 18, ndërsa në orën 23.00 priten prognozat e para për të gjitha vendet e BE-së.

Të drejtën e votën e kanë sot më shumë se 400 milionë banorë të 28 shteteve të BE-së. Zgjedhjet kanë filluar më 23 maj dhe do të përfundojnë sonte.

Në këto zgjedhje garojnë edhe politikanë shqiptarë nga vendet e BE-së.