17:24 / E Diele, 21 Korrik 2019

Pjesët e veturave do të prodhohen nga bimët?

Sipas studimeve të shumta shkencore, industria e automobilave është një fajtor i madh për rritjen e emetimeve të dyoksidit të karbonit, përkatësisht në procesin e prodhimit të makinave të reja lëshohen më shumë gazra serrë në atmosferë se jetëgjatësia e makinës.

Hulumtuesit e Selena grup nga Polonia janë të bindur se në industrinë e automobilave në masë të madhe mund të zvogëlohen emetimet e CO2 në atmosferë, kur në vend të materialeve plastike të përdoren materiale natyrore, përkatësisht bioplastika, për shkak të të cilës kanë iniciuar projektin Biomotive në vlerë 15 milionë euro të siguruara nga Bashkimi Evropian, transmeton KosovaPress.

Thuhet se ideja themelore është të përdoren burime të bimëve, të cilat nuk përdoren në ushqime, duke ndërtuar pllaka komanduese, pjesë të enterierit dhe komponentë tjera të automobilave, për të cilat zakonisht përdoret plastika.

Selena ka zhvilluar një teknologji që përdor komponimet kimike në bimë për të sintetizuar polimere në një laborator dhe dëshiron ta transferojë atë në një nivel industrial, veçanërisht në prodhimin e makinave.

Deri në fund të këtij viti, Selena do të nisë një fabrikë të vogël, e cila do të prodhojë komponentë të ndryshëm të makinave dhe një nga qëllimet është se këto procese janë ekonomikisht të realizueshme, pasi deri më tani kanë qenë shumë të shtrenjta për aplikime industriale.