15:15 / E Hënë, 19 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Maqedonisë u trajnuan në kazermën e FSK-së

Në kandër të bashkëpunimit të FSK-së me Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë,  nga data 4-16 nëntor, në kazermën “Evropianet e Rinj” në Pomozotin, është realizuar trajnimi dyjavor për “Kërkim-Shpëtimit Urban”, në të cilin kanë marrë pjesë; 9 pjesëtarë të FSK-së dhe 6 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Maqedonisë.

Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi, shprehi konsideratën e tij më të lartë për punën që është duke u bërë në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, në veçanti për instruktorët të cilët kanë qenë bartës të këtij kursi. Gjeneral Cikaqi e vlerësoi lart këtë kurs, i cili siç u shpreh ai është realizuar në gjuhën angleze dhe ka marr përmasa të një kursi ndërkombëtar. „Pjesë e trajnimit ishin edhe kolegët tanë nga ushtria maqedonase të cilët i kanë dhënë kuptim këtij kursi. Temat e trajtuara këtu janë shumë të rëndësishme jo vetëm për ju si kadetë pjesëmarrës, por edhe për dy forcat tona. Veç tjerash, gjatë këtyre ditëve sa kemi qëndruar së bashku kemi krijuar ura miqësie, gjë për të cilën dua t’ju përgëzoj. Ne jemi në fazën e tranzicionit të FSK-së që gjitha këto kapacitete të cilat jemi duke i krijua ne si forcë do ti përdorim edhe në misionin e ardhshëm, dhe RMC do ta ketë një mision të veçantë edhe në kuadër të strukturës së FSK-së dhe misionit të saj të ardhmen“.

Këshilltari i Zyrës së Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, z. Alastair Livingston, duke ju drejtuar kursantëve  tha se „të gjitha këto trajnime dhe përvoja që keni marrë për këto dy javë kanë qenë të fokusuara në aspektin e ndihmës për vendin tuaj “.

Ndërsa, drejtori i Qendrës së Trajnimit të K-SH, z. John Doone,  pasi falënderoi të pranishmit foli edhe për rëndësinë e trajnimit: “ Është hera e parë që ky lloj trajnimi mbahet në gjuhën angleze. Trajnimi ka filluar në ora dy të mëngjesit me aktivitete të ndryshme nga lëmi i  kërkim-shpëtimit urban. Ju tashmë jeni përgatitur që të intervenoni në fatkeqësi të mundshme të kësaj natyre”.

Realizimi i këtij trajnimi u mundësua nga instruktorët e Qendrës së Trajnimeve të Kërkim Shpëtimit.

Vlerësimi i kursantëve u bë në bazë të angazhimit të tyre gjatë këtyre ditëve dhe shkallës së  njohurive teorike dhe praktike që ata kanë arritur të fitojnë nga ky trajnim. Temat të cilat u realizuan gjatë trajnimi ishin: Menaxhimi i ekipit dhe skuadrës në raste reale në fatkeqësitë urbane, menaxhimi i komandës dhe kontrollit, menaxhimi i traumave mjekësore etj.

Qëllimi i këtij trajnimi dhe i trajnimeve të tjera që realizohen në FSK është mirëmbajtja e vazhdueshme e njohurive ekzistuese të pjesëtarëve si dhe avancimi dhe ngritja profesionale e tyre.