12:13 / E Martë, 11 Dhjetor 2018

Plani operativ i Policisë, identifikohen 29 fëmijë që kërkojnë lëmoshë në Kosovë

Policia e Kosovës ka zbatuar Plani  Operativ ‘Identifikimi i fëmijëve lëmosh-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit’, i cili është shtrirë në gjithë territorin  e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore  03.12.2018 deri më 07.12.2018.

Në realizim të këtij plani, pos Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë qenë të përfshirë edhe: Prokuroritë  e rajoneve përkatëse,  Qendrat për Punë Sociale,  Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së dhe Njësitë policore nga  stacionet policore përkatëse.

Gjate zbatimit te këtij plani operativ janë hasur këto dukuri dhe kryer këto veprime:

·           Janë identifikuar 29 fëmijëve lëmoshë-kërkues (21 shtetas të Kosovës dhe 8 shtetas të Shqipërisë),

·           Janë identifikuar 13 persona të dyshuar,

·           Janë iniciuar 10 raste nga Neni 250 i Kodit Penal ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’,

·           Të gjithë fëmijët lëmoshë kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre,

·           Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar  asnjë viktime e trafikimit,

·           Shtetasit e huaj  janë dorëzuar  Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime  bazuar në  Ligjin për të Huaj,

·           Për shtetasit kosovar, në konsultim me prokurorët përkatëse, janë iniciuar 10 raste ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale, përfshirë keqtrajtimin e fëmijëve dhe trafikimin me njerëz./Indeksonline/