11:56 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Planifikohet hapja e 12 pompave të derivateve të naftës nëpër autostrada

Autostrada “Arben Xhaferi” dhe ajo “Ibrahim Rugova” pritet që të bëhen me 12 pika të derivateve. Kjo parashihet në vitin 2019 pasi një gjë e tillë po kërkohet nga pjesëmarrësit në komunikacion e po ashtu nga bizneset e kësaj fushe.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj për Indeksonline ka thënë se këtë vit do të fillojnë me procedurat e koncesionimit të këtyre pushimoreve.

“Kjo çështje do të rregullohet shumë shpejt, në këtë vit ka shumë të ngjarë që të fillojmë me procedurat e koncesionimit të këtyre pushimoreve, kjo do të bëhet në bashkëpunim me departamentin e PPP të Ministrisë së Financave dhe po besojmë qe aty nga mesi i vitit tjetër do të kemi konkretisht rezultatet nga ky proces”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka theksuar se qytetarët dhe bizneset po kërkojnë funksionalizimin e tyre që janë me se të nevojshme. “Sigurisht se kërkesa ka, e do te këtë për ketë gjë, dhe prandaj edhe ne duke i parë këto kërkesa si nga pjesëmarrësit në komunikacion po ashtu edhe nga bizneset e kësaj lëmije për t’i funksionalizuar këto pushimore. Do të veprojmë dhe siç e thash edhe më lartë diçka konkrete ne këtë drejtim do të mund të kemi vitin e ardhshëm”, ka thënë mes të tjerash Lekaj.

Ky plan do të bëhet në bashkëpunim me Departamentin e Partneritetit Publik-Privat që është në kuadër të Ministrisë së Financave. Ne të dy autostradat, R6, “Arben Xhaferi” dhe atë R7, “Ibrahim Rugova”, janë gjithsej 12 pika, të cilat janë të shpronësuara dhe të konstruktuara për këtë profil të biznesit./Indeksonline/