13:33 / E Diele, 25 Mars 2018 / indeksADMonline

Po afrohet testi PISA, këto janë pritshmëritë për nxënësit nga Kosova

Nxënësit e shkollave të mesme, pritet që në fund të muajit prill t’i nënshtrohen Testit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA).

Përgatitjet për mbajtjen e këtij testi në Kosovë kanë filluar nga Ministria e Arsimit. Javën e kaluar, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka prezantuar edhe fushatën për pjesëmarrjen e Kosovës në testin PISA.

Me këtë rast ai është shprehur optimist për testin duke thënë se Kosova do të ketë renditje më të mirë këtë vit.

Por duket se kaq optimist sa Ministri Bytyqi nuk është analisti Jusuf Thaçi. Ky i fundit për Indeksonline ka thënë se rezultatet e testit PISA nuk priten të jenë shumë më të mira krahasuar me ato të para tre viteve.

“Është problem ta parashikojmë a do të jetë më mirë apo më keq, por ajo që është e sigurt është se nuk do të ketë dallime të mëdha prej herëve të kaluara, qofshin këto dallime pozitive qofshin negative. Normalisht për shkak të përvojës në organizim edhe për shkak se është bë çështje e madhe edhe në publik, ndoshta ka pas një interesim pak më të madh edhe në aspektin organizativ dhe por edhe të nxitjes dhe motivimit të nxënësve, rrjedhimisht pritet me pas reflektim pozitiv dhe rezultate pak më të mira. Mirëpo nuk është se mund të ketë dallime esenciale prej të kaluarës sepse është fjala për një periudhë tre vjeçare. Pra, nuk mund të priten dallime të mëdha në rezultate.” ka thënë Thaçi.

Analisti Thaçi, ka theksuar se njëri nga problemet me të cilën përballen nxënësit në Kosovës është edhe mësimi mekanik, por edhe mendësia e sistemit të edukimit që e kemi të trashëguar.

Gjithmonë sipas tij këta janë faktor që mund të ndikojnë negativisht në rezultatet e testit PISA.

“Nuk beson që ka ndryshuar diçka esencialisht sa i përket mësimit mekanik të nxënësve në Kosovë, sido qoftë pritet me pa. Por rezultatet e PISA nuk lidhen vetëm me të mësuarit mekanik por edhe në përgjithësi me mendësinë e sistemit ton të edukimit që e kemi të trashëguar edhe më herët por që po e kultivojmë edhe tash në ndërkohë që Pisa mat më shumë aspekte të kompetencave të nxënësve por edhe zbatimin e njohurive praktike për jetën e përditshme, pra të përgatiturit për jetë dhe shkollim të mëtutjeshëm kështu që nuk besoj që në Kosovë ka pas ndonjë ndryshim esencial” është shprehur Thaçi.

Por ndryshe nga Thaçi, rezultate pak më të mira pret Dukagjin Popovci, drejtori i Qendrës për Arsimin e Kosovës (KEC).

Ai në përgjigjen për Indeksonline ka thënë se në kohën kur është mbajtur testi i parë shumë gjëra mund të kenë munguar. “Nuk mund të bëj parashikime të tilla. Ata që kanë hy në PISA 2015 kanë filluar shkollimin në vitin 2005 ose 2006, kur shumë gjëra mund të kenë munguar. Tani, bëhet fjalë për një gjeneratë tjetër, e cila ka filluar shkollimin në vitin 2008 ose 2009. Nxënësit e kësaj gjenerate i kanë marrë tekstet pa pagesë gjatë gjithë shkollimit të tyre, kanë pasur rastin ta shfrytëzojnë më shumë teknologjinë sesa gjenerata e mëhershme, nuk jam i sigurt se kanë pasur mësimdhënie më cilësore nëpër shkolla, por gjithsesi kanë pasur infrastrukturë më të mirë.” ka thënë Popovci. Duke theksuar faktorët si infrastruktura më e mirë për nxënësit që do të futen këtë vit në testin Pisa, Popovci ka konsideruar se mund të ndikojnë në suksesin e tyre në këtë test. Drejtori për Arsim nuk ka harru edhe një aspekt kyç që është përparimi edhe i shteteve tjera gjatë këtyre viteve në arsim, ku ka theksuar se Kosova mund të renditet përsëri poshtë në raport me to.

“Të gjithë këta janë faktorë që ndikojnë në suksesin, pra edhe mund të ndodhë që rezultati të përmirësohet. Por, rezultatin do ta përmirësojnë edhe shtetet tjera për arsye të ngjashme dhe do të shohim se ku do të dalim në raport me ato shtete” ka përfunduar Popvci.

Ndryshe, Testi PISA mat aftësinë e fëmijëve 15 dhe 16 vjeçar për t’i zbatuar në jetën e përditshme njohuritë nga fusha e leximit, e matematikës dhe e shkencave të natyrës.

Rezultati i këtij testi është pasqyrë e njohurive, shkathtësive dhe shprehive që nxënësit i kanë përfituar gjatë shkollimit të tyre paraprak.

Ky test pritet të fillojë më 11 prill dhe të përfundoj me datë 5 maj, ku do të marrin pjesë 5375 nxënës nga 211 shkolla në të gjithë Republikën e Kosovës./Indeksonline/R.Ç/