09:34 / E Hënë, 20 Dhjetor 2021 / MSH

Po priste djalin jashtë akademisë, aktorja meksikane qëllohet për vdekje

Një aktore dhe këngëtare meksikane u qëllua me armë teksa po priste të merrte djalin e saj 11 vjeçar nga një akademi futbolli.

Tania Mendoza po qëndronte jashtë akademisë në qytetin Cuernavaca të Morelos, kur dy burra të armatosur mbërriten me motoçikletë për të shtënë drejt saj.

Njëri nga ta e qëlloi disa herë me armë përpara se motoçikleta të largohej.

Ngjarja ndodhi ditën e martë, ndërsa policia akoma nuk ka ndonjë të dyshuar lidhur me rastin.

Akoma nuk është mësuar as motivi i vrasjes, ndonëse artistja më herët kishte bërë me dije se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin armiq, sidomos pasi u rrëmbye bashkë më familjën e saj në vitin 2010.

Mendoza, 42 vjeçe, u bë e famshme në vitin 2005, pas një roli kryesor në filmin La Mera Reyna del Sur. 

Ajo ishte shfaqur edhe në një sërë telenovelash, por vitet e fundit iu përkushtua karrierës së saj si këngëtare dhe regjistroi pesë albume.

Sipas agjëncisë së lajmeve Efe, rasti po trajtohet si “femicide” nga ana e Prokurorisë.