09:54 / E Premte, 21 Korrik 2023 / LB

Po shijonte natyrën shqiptare, turistja gjermane lëndohet rëndë, policia i shpëton jetën

Policia e Shkodrës dhe banorët e zonës i shkojnë në ndihmë një turisteje gjermane që ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime fizike, gjatë eksplorimit të zonës me një turist tjetër, në vendin e quajtur “Kodër Kunje”.

Menjëherë pas telefonatës në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, nga një banor i zonës, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, për një turiste gjermane që kishte rrëshkitur në terren malor në vendin e quajtur “Kodër Kunje”, njësia administrative Shosh, bashkia Shkodër, dhe nuk lëvizte dot pasi kishte thyer këmbën dhe krahun, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë drejt këtij vendi, për t’i ofruar ndihmë turistes.

Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë kanë transportuar turisten gjermane dhe turistin tjetër që e shoqëronte, nga terreni ku ndodheshin deri në Prekal, në rrugën automobilistike, ku më pas turistët janë marrë nga shërbimet e ambulancës.

Pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor, turistja e dëmtuar është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Turistët gjermanë kanë falënderuar banorët e zonës, shërbimet e Policisë dhe ekipin mjekësor, për ndihmën që iu dhanë.