19:51 / E Mërkurë, 20 Shkurt 2019 / indeksADMonline

“Po të kishte presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë”

Deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka komentuar deklaratën e presidentit kosovar, Hashim Thaçi, i cili tha se idenë për korigjimin e kufijve se pari e ka lexuar nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Lidhur me këtë, deputeti Abdixhiku tha se Thaçi tashmë e ka kuptuar se projekti i tij dhe Aleksandrit në Serbi, për ndarjen e Kosovës, po humbet.

Tutje ai shtoi se meqë projekti po humbet, Thaçi tash po provon që të njëjtin t’ia mveshë dikujt, duke gjetur si shënjestër presidentin Rugova.

Abdixhiku tha gjithashtu se po të kishte sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë dhe asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin dëm Kosovës, transmeton Indeksonline. Deputei i LDK-së tha se idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata.

Postimi i plotë:

Hashim Thaçi ka kuptuar se projekti i tij – dhe Aleksandrit në Serbi – për ndarjen e Kosovës po humbet. Refuzimi i madh politik e publik në vend e bën ndarjen të pajetë. Të përjetshëm e mbanë, gjithsesi, kujtesën kolektive për ata që donin të falnin territor.

Meqë projekti po humbet, ai tash provon të njëjtin dikujt t’ia mveshë. Dhe paska gjetur si shënjestër Presidentin Rugova; njeriun që udhëhoqi e realizoi projektin më të madh shqiptar – pavarësinë e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Njeriun që çdo të premte rresht, s’rreshti së foluri për këtë territor, për këtë sovranitet, për këtë shtet.

Meqë jemi në kohë të letrave e jo të cungut, gjarpërimet politike duken komike. Për të e secilin me interes, në vitin 1994 kur u pyet nga Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmiche për idenë e ndarjes së vendit të vet, Ibrahim Rugova kishte thënë:

– “Projekti i ndarjes së Kosovës, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas here, ka vetëm një qëllim: ta cënojë integritetin territorial të Kosovës e më pas ta thejë identitetin e saj. Ky projekt për herë të parë është nxjerrë zyrtarisht nga Dobrica Qosiq dhe prezantuar zyrtarisht (në emër të Serbisë) në Gjenevë nga këshilltari i tij Stojanoviq”.

E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës.

Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin.