75 Mall Live Search
10:11 / E Shtunë, 21 Qershor 2025 / FR

Po transportonin mbi 5 kilogramë drogë – Kapen në flagrancë pesë persona në Tiranë

Shitja e lëndëve narkotike vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore në kryeqytetin e Shqipërisë, ku Policia po zhvillon operacione të njëpasnjëshme për të goditur këtë veprimtari të paligjshme.

Një tjetër rast është goditur nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ku në kuadër të operacionit policor të koduar “Valiasi”, janë arrestuar në flagrancë pesë persona, të cilët dyshohen se ishin përfshirë në një rast të transportimit dhe shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa.

Siç njofton Policia e Shtetit, gjatë kontrollit në një automjet të ndaluar në zonën e Valiasit, janë sekuestruar dy pako me rreth 5.3 kilogramë drogë, që dyshohet se po transportohej për t’u shitur.

Të arrestuarit janë: A. P., 25 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; E. G., 22 vjeç, Sh. N.(G.), 20 vjeç (vëllezër), E. P., 26 vjeç dhe E. B., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas njoftimit të Policisë, dy prej të dyshuarve po transportonin drogën me një veturë të tipit “Audi”, ndërsa tre të tjerët po i shoqëronin me një makinë tjetër, tip “Jaguar”. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ata tentuan të largoheshin, por u ndaluan dhe u kapën në flagrancë.

Përveç drogës, janë sekuestruar dy automjete dhe pesë telefona celularë, që dyshohet se janë përdorur gjatë aktivitetit kriminal.